Prishtinë, 17 korrik Zhurnal.mk – Zana Spahiu është emëruar drejtoreshë e përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), me nëntë vota për. Vendimi është marrë të premten, në mbledhjen e Bordit të RTK-së, ndërsa mandati i saj në krye të transmetuesit publik do të jetë trevjeçar.
Spahiu ishte kandidatja me rezultatin më të lartë gjatë procesit të vlerësimit për këtë pozitë. Ajo mori 90.7 pikë nga anëtarët e Bordit të RTK-së, duke lënë pas pesë kandidatët e tjerë.
Intervistat për pozitën e drejtorit të përgjithshëm u zhvilluan të hënën, ku u vlerësuan gjashtë kandidatë: Lorik Arifaj, Antigona Baxhaku, Arbër Geci, Nexhmedin Spahiu, Zana Spahiu dhe Hysen Hundozi.
Por, i gjithë procesi është shoqëruar me kritika nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë ngritur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të tij, në një kohë kur transmetuesi publik po përballet me akuza për ndërhyrje dhe presione.
Spahiu kishte dhënë dorëheqje në korrik të vitit 2024 nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së RTK-së, ndërsa në maj të vitit 2026 u rikthye sërish në këtë pozitë.
Dorëheqja e saj në atë kohë erdhi pas reagimeve të shumta publike lidhur me publikimin nga transmetuesi publik të një artikulli të përkthyer nga platforma boshnjake “Slobodna Bosna”, në të cilin pretendohej se regjimi serb kontrollonte dy media në Kosovë.
Rikthimi i saj në garë për pozitën e drejtorit të përgjithshëm ka nxitur sërish reagime, pasi procesi është konsideruar nga kritikët si i politizuar dhe është vënë në pikëpyetje pavarësia e përzgjedhjes.
Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur në RTK janë shtuar shqetësimet për presionet ndaj gazetarëve dhe klimën e punës brenda transmetuesit publik. Gjatë muajve të fundit, disa gazetarë kanë dhënë dorëheqje, duke e lidhur largimin e tyre me presionet dhe kushtet në të cilat kanë ushtruar profesionin.
Rasti më i fundit është ai i gazetares Arlinda Sejda, e cila dha dorëheqje nga RTK, duke i dhënë fund angazhimit të saj në transmetuesin publik pas një periudhe që, sipas deklarimeve të saj, ishte e shoqëruar me vështirësi në ushtrimin e profesionit.
