Tiranë, 02 korrik, Zhurnal.mk – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të mos ushtrojnë presion ndaj deputetëve gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla theksoi se askush nuk mund të pengojë ushtrimin e detyrës kushtetuese të deputetëve, duke shtuar se institucioni ligjvënës do të vijojë punën në funksion të procesit të integrimit europian.
Ai komentoi gjithashtu bojkotin e seancës nga Partia Demokratike, duke u shprehur se deputetët opozitarë “u trembën nga vezët”.
“Ne do t’i votojmë të tre këto ligje, të cilat janë pjesë e detyrave të shtëpisë. Për këtë na kanë zgjedhur qytetarët shqiptarë. Ende nuk i dimë arsyet pse Partia Demokratike e ka bojkotuar këtë seancë, por shpresoj që të jetë e pranishme në seancat në vijim”, deklaroi Balla.
Në vijim, ai theksoi se Kuvendi do të vazhdojë të ushtrojë mandatin deri në vitin 2029 dhe se grupi parlamentar i PS do t’u qëndrojë besnik votave që i kanë besuar qytetarët.
Balla dënoi aktet e dhunës gjatë protestës, duke u shprehur se ato janë të papranueshme dhe të frymëzuara nga individë kriminalë, ndërsa shtoi se tre punonjës policie janë lënduar gjatë përplasjes.
Ai theksoi se kushdo që ngre dorë ndaj Policisë së Shtetit “ngre dorë ndaj shtetit”, ndërsa bëri thirrje për distancim të qartë nga dhuna.
Balla u shpreh se protesta duhet të ndahet nga individët e përfshirë në veprime kriminale dhe se institucionet do të vijojnë punën drejt objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
