Pekin, 02 tetor, Zhurnal.mk – I dërguari i përhershëm i Kinës në OKB, Fu Cong, tha të enjten në debatin e përgjithshëm të Komitetit të Tretë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se Kina kundërshton politizimin, instrumentalizimin dhe përdorimin e të drejtave të njeriut si armë politike.
Fu Cong tha se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë në mënyrë të pavarur rrugën e vet për zhvillimin e të drejtave të njeriut, të marrë pjesë, të vendosë dhe të përfitojë në mënyrë të barabartë në çështjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ai bëri thirrje për respektimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, përfshirë barazinë sovrane dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme. Çështjet e të drejtave të njeriut duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë, objektive dhe jopërzgjedhëse. Duhet të kundërshtohen standardet e dyfishta dhe imponimi ndaj të tjerëve, si edhe politizimi, instrumentalizimi dhe përdorimi i të drejtave të njeriut si armë politike, duke forcuar besimin dhe vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur sistemin shumëpalësh të të drejtave të njeriut.
I dërguari i Kinës tha se përmirësimi i jetesës së njerëzve në të gjitha vendet, duhet të jetë pikënisja dhe synimi përfundimtar i përpjekjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Mosmarrëveshjet dhe çështjet e ndërlikuara ndërkombëtare duhet të zgjidhen me mjete paqësore, kurse të drejtat e njeriut duhet të mbrohen përmes sigurisë, të promovohen përmes zhvillimit dhe të çohen përpara përmes bashkëpunimit. Duhet të thellohet dialogu mes qytetërimeve dhe të shtohen shkëmbimet mes njerëzve të vendeve të ndryshme, duke nxitur të drejtat e njeriut përmes bashkëpunimit.
Fu theksoi se pa një rend ndërkombëtar i qëndrueshëm nuk mund të ketë mbrojtje efektive të të drejtave të njeriut dhe se, pa bashkëpunim të vërtetë shumëpalësh, qeverisja globale në këtë fushë nuk mund të japë rezultate konkrete. Ai bëri thirrje që angazhimet ndaj multilateralizmit të zbatohen në praktikë dhe të ndërtohet një sistem global i qeverisjes së të drejtave të njeriut më i drejtë dhe më i arsyeshëm.
