Shkup, 20 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit lidhur me emërtimet e rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë, duke akuzuar koalicionin VLEN se po hesht përballë, siç thotë, rikthimit të simbolikës së periudhës jugosllave.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se arsyetimet e dhëna për vendimin e fundit janë përpjekje për të relativizuar një çështje që prek identitetin historik të qytetit.
“Dikush mund të ketë nostalgji për Josip Broz Titon. Dikush mund t’i ketë thurur poezi lavdie Titos, madje edhe të ketë marrë shpërblime për to. Kjo është çështje bindjesh personale. Por nostalgjitë dhe adhurimet për Titon mbahen në shtëpi, jo duke rikthyer simbolikën e Jugosllavisë në Tetovë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare thekson se Tetova ka ndërtuar prej kohësh identitetin e saj dhe nuk duhet të rikthehet, sipas saj, te emërtimet e së kaluarës.
Sipas BDI-së, zhvillimet e fundit po ndodhin me “bekimin e VLEN-it”, ndërsa kërkon sqarime publike nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në reagim parashtrohen disa pyetje publike, mes tyre nëse Komuna e Tetovës është kontaktuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të lëndës, cili ka qenë qëndrimi i komunës në këtë procedurë, nëse ka pasur komunikim zyrtar ose jozyrtar me Gjykatën Kushtetuese, si dhe cili ka qenë roli i përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri dhe qëndrimi i ekzekutivit lidhur me emërtimet e miratuara në vitin 2007.
“Qytetarët meritojnë transparencë të plotë. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë se kush heshti, kush u pajtua dhe kush kontribuoi që të vihet në shënjestër identiteti i Tetovës”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në fund, BDI u bën thirrje institucioneve dhe përfaqësuesve politikë të mos e nënvlerësojnë reagimin e qytetarëve, duke theksuar se shqiptarët nuk do të pranojnë, sipas tyre, cenimin e të arriturave të tyre në heshtje.
