Bekim Fazliu publikon komunikatën e Vuçiqit të vitit 2021: Bujar Osmani diskutoi për serbët, jo për shqiptarët

Nga I.A
507 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka publikuar një komunikatë zyrtare të Presidencës së Serbisë, të datës 18 shkurt 2021, duke e përdorur atë si argument për të kritikuar ish-përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e atëhershme.

Sipas komunikatës, gjatë takimit ndërmjet presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ndër temat e diskutuara ishte edhe “përmirësimi i pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut dhe i maqedonasve në Serbi”.

Duke iu referuar këtij dokumenti, Fazliu shkroi se ish-pushtetarët shqiptarë, të cilët sipas tij qeverisën për 20 vjet, nuk ngritën çështje që lidhen me interesat kombëtare shqiptare.

“Ishin në pushtet plot 20 vjet. Dhe ja një nga rezultatet që zgjodhën të lënë pas: ‘Përmirësimi i pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut dhe i maqedonasve në Serbi’. Jo një marrëveshje për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Jo një iniciativë për njohjen e Kosovës nga Serbia. Jo për ta dënuar sulmin terrorist në Mitrovicë. Për të huajin shumë, për veten poste, për shqiptarët asgjë”, ka shkruar Fazliu.

Ai shton se, sipas tij, ish-pushtetarët u kujtuan për këto tema vetëm pasi kaluan në opozitë.

“Nuk na duhen më vetëm fjalë e premtime kur luftonin të qëndronin në pushtet, e akuza pasi populli i çoi në opozitë. S’ka çka na duhet ky soj”, përfundon reagimi i kryetarit të Lëvizjes Arbëria.

Komunikata e publikuar nga Fazliu është lëshuar nga Presidenca e Serbisë më 18 shkurt 2021, pas takimit të presidentit Aleksandar Vuçiq me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër