Berisha në Strasburg: Kur 90% e mediave kontrollohet nga qeveria, pluralizmi bëhet fiktiv

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalimin e mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ngriti shqetësimet e tij për lirinë e medias dhe pluralizmin në Shqipëri.

Në fjalimin e tij, Berisha theksoi se mbi 90% e mediave kontrollohet nga qeveria dhe interesa të lidhura me të, ndërsa pjesa tjetër përballet me presione dhe sulme.

“Raportet më serioze ndërkombëtare dëshmojnë se në Shqipëri mbi 90% e mediave, përfshirë mbulimin e lajmeve, debatet dhe editorialet, kontrollohen nga kryeministri, narkoqeveria e tij dhe bizneset e oligarkëve të tij. Në një kontekst ku 90% e mediave kontrollohet nga interesat politike dhe ekonomike të qeverisë, “e keqja banale” pushon së qeni një seri gabimesh rastësore dhe shndërrohet në një sistem operativ dhe ky është pikërisht rasti i Shqipërisë”, tha ai.

Berisha tha se kontrolli i gjuhës dhe informacionit dëmton mendimin e pavarur dhe e bën pluralizmin politik fiktiv.

“Gjuha kthehet në një lloj “burgu pa mure”, ku fjalët përdoren për të parandaluar mendimin e pavarur përpara se ai të lindë. Korruptimi i gjuhës është me distancë mjeti më i fuqishëm dhe më i padukshëm i “të keqes banale. Korruptimi i gjuhës shënon shkatërrimin e kontratës themelore mes njeriut, shoqërisë dhe së vërtetës. Korruptimi i gjuhës korrupton mendimin: liria bëhet fiktive, pluralizmi politik zëvendësohet nga pluralizmi burokratik, dhe ky është realiteti i sotëm në Shqipëri, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë”, tha Berisha.

Në përfundim, Berisha kërkoi një qëndrim ndërkombëtar ndaj qeverisë shqiptare dhe sanksione, duke i cilësuar ato “kushte sine qua non” për lirinë dhe pavarësinë e medias dhe rivendosjen e pluralizmit demokratik.

“Një qëndrim i prerë, sanksionet ndërkombëtare dhe ndëshkimi i narkoshtetit në Shqipëri si dhe i atyre që e ndërtuan atë, janë kushte sine qua non për lirinë dhe pavarësinë e mediave dhe për rivendosjen e pluralizmit të vërtetë demokratik në vendin tim”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër