Tiranë, 29 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se gjatë takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, opozita ngriti shqetësimin për pabarazinë në financimin e partive politike gjatë zgjedhjeve.
Berisha tha se financimi i partive është “çështja më themelore e procesit zgjedhor” dhe pretendoi se diferenca mes Partisë Demokratike dhe partisë në pushtet ka qenë të paktën në 2700 herë vetëm nga përdorimi i parave të buxhetit.
Sipas tij, qeveria ka organizuar 4530 aktivitete gjatë periudhës zgjedhore, të financuara me para publike, duke përmendur edhe organizimin e “Giro d’Italia” një ditë para zgjedhjeve.
“Në këtë takim theksuam, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, theksuam se çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor. Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë.
“Diferenca e financimit me paratë e buxhetit, midis dy forcave kryesore politike, shkon nga 700 në 1 mijë herë. Konkretisht. Duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti, siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Nëse e thashë 700 gabova, është të paktën 2700 sepse janë para buxheti këto”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se qeveria përdori pensionet dhe faljen e detyrimeve financiare për qëllime elektorale.
“Së dyti, iu dha çdo pensionisti 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti, dhuratë për votë. U falën dy ditë para zgjedhjeve, para që do të shkonin në buxhet, 2 miliardë e 100 milionë euro. Me impakt në mbi 2300 familje, me impakt 84 mijë biznese aktive”, tha Berisha.
Berisha tha se “problem tjetër kaq themelor është armiqësia e institucioneve ndaj opozitës. Është shkalla ekstreme e politizimit të KQZ-së dhe SKAP-it të partisë”.
Sipas tij, nga 43 kallëzime të depozituara për shkelje zgjedhore është dhënë vetëm një penalizim, ndërsa të gjitha rastet e tjera janë “amnistuar”.
