Tiranë, 4 maj, Zhurnal.mk – Në Bllokun Operator të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Digjestive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), vijon puna intensive e përditshme e ekipeve mjekësore, të cilat ofrojnë shërbime të specializuara për pacientët nga i gjithë vendi.
Falë kapaciteteve të konsoliduara infrastrukturore dhe angazhimit të vazhdueshëm të stafit shëndetësor, ky shërbim garanton trajtim efikas dhe të sigurt, duke respektuar standardet bashkëkohore të praktikës mjekësore. Çdo ndërhyrje kryhet në kushte optimale, me fokus të veçantë te cilësia e kujdesit dhe siguria e pacientit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje puna e përditshme në këtë bllok operator në QSUT.
Rama tha se blloku operator “falë kapaciteteve të nevojshme dhe përkushtimit të strukturave mjekësore, garanton trajtim efikas, të sigurt dhe në përputhje me standardet bashkëkohore për çdo pacient”.
Mjekët dhe infermierët e këtij blloku operator punojnë në mënyrë të koordinuar për të përballuar fluksin e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke reflektuar profesionalizëm dhe përkushtim në çdo rast klinik.
Ky model organizimi dhe funksionimi mbetet një nga shtyllat kryesore të sistemit spitalor universitar në vend, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimit shëndetësor publik.
