BM-Francë marrëveshje për ndalimin e kalimit të migrantëve përmes La Manshit

Nga D. V.
393 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 24 prill, Zhurnal.mk – Qeveria e Britanisë së Madhe synon që policia të largojë qindra migrantë nga plazhet franceze çdo vit, sipas marrëveshjes së fundit për kalimet përmes Kanalit te La Manshit.

Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood nënshkroi dje në mbrëmje në Dunkirk, një marrëveshje trevjeçare me vlerë 662 milionë paund (893 milionë dollarë) me Francën.

Ministrat nuk vendosën objektiva specifikë për të matur suksesin e marrëveshjes, por Ministria e Brendshme tha se marrëveshja do të përfshijë oficerë, që shënjestrojnë dhe ndalojnë migrantët, në bregdetin francez me qëllim largimin e qindra refugjatëve, që nisen me gomone nga plazhet franceze çdo vit.

Mahmood u tha gazetarëve se nuk dëshiron të vendosë objektiva, pasi mendon se publiku britanik do të ishte mjaft skeptik ndaj kësaj, por theksoi se ishte plotësisht e bindur për uljen e numrit të migrantëve dhe se marrëveshja do të sillte ndryshim.

Policia e trazirave do të dërgohet në plazhe për të ndaluar migrantët të hyjnë në Kanalin e La Manshit, si pjesë e një sërë masash, ndërsa Britania e Madhe po i jep më shumë fonde Francës për të frenuar kalimet.

Një njësi prej 50 oficerësh policie, të trajnuar në taktika të kontrollit të trazirave dhe turmave, do të angazhohet për të përballuar dhunën dhe “turmat armiqësore” në vijën bregdetare, së bashku me strategji të tjera të reja që po testohen për të ndaluar migrantët të hipin në varka.

Ministria e Brendshme tha se numri i oficerëve që do të vendosen për të ndalur përpjekjet e kalimeve nga Franca veriore drejt Britanisë së Madhe, do të rritet me rreth 42% kur marrëveshja të hyjë në fuqi në verë – periudha zakonisht më e ngarkuar për kalimet.

Një pjesë e financimit do të varet nga ulja e numrit të mbërritjeve për herë të parë që nga fillimi i krizës së migracionit.

Mahmood e cilësoi si “të rëndësishme” bashkëpunimin mes dy vendeve dhe e quajti marrëveshjen një “moment historik”, e cila do të jetë në fuqi deri në mars 2029.

Sipas saj, Britania e Madhe do të japë 501 milionë paund për të financuar, pesë njësi policore dhe aktivitete zbatimi në plazhet franceze, ndërsa një fond shtesë prej 160 milionë paundësh do të paguhet vetëm nëse masat e reja rezultojnë të suksesshme.

“Nëse përpjekjet dështojnë, financimi shtesë do të ndalet pas një viti”, tha Ministria e Brendshme.

Sipas detajeve të tjera të marrëveshjes, 200 oficerë do të dërgohen në një qendër të re ndalimi në Dunkirk për të deportuar migrantët, e cila pritet të hapet deri në fund të vitit.

Ata do të fokusohen në largimin e migrantëve nga Eritrea, Afganistani, Irani, Sudani, Somalia, Etiopia, Iraku, Siria, Vietnami dhe Jemeni – 10 kombësitë kryesore të migrantëve që bënë këtë udhëtim vitin e kaluar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër