Qipro, 24 prill, Zhurnal.mk – Ukraina dhe Bashkimi Evropian shpresojnë të nisin zyrtarisht negociatat për anëtarësim, pas humbjes zgjedhore të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i cili njihet si kundërshtar i fortë i afrimit të Kievit me bllokun.
“Ne jemi gati”, tha dje në mbrëmje presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa mbërriti në samitin informal të BE-së në qytetin bregdetar qipriot, Ayia Napa.
BE-ja vendosI në vitin 2024, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën, por Hungaria ka bllokuar nisjen e fazës së parë të bisedimeve zyrtare.
Orbán e ka justifikuar veton e tij duke argumentuar se anëtarësimi i Ukrainës do të sillte rreziqe të mëdha, duke rritur mundësinë e përfshirjes së BE-së në luftën me Rusinë.
Negociatat e anëtarësimit ndahen në gjashtë fusha dhe 32 kapituj tematikë, të njohur si “grupkapituj”.
Hapja dhe mbyllja e secilit grupkapitull kërkon vendim unanim nga të 27 shtetet anëtare të BE-së.
Zelensky tha se Ukraina ka përfunduar punën përgatitore dhe është e gatshme të hapë disa prej këtyre grupkapitujve.
Ai shprehu gjithashtu shpresën se qeveria e re hungareze nën drejtimin e kryeministrit të ardhshëm, Péter Magyar do të ketë një qasje më të hapur ndaj Ukrainës dhe se Kievi do të gëzojë mbështetjen e të gjithë partnerëve të BE-së.
“Është koha të shohim përpara dhe të përgatisim hapin e radhës, dhe hapi i radhës është hapja zyrtare e grupkapitujve të parë të negociatave”, tha presidenti i Këshillit Evropian António Costa në nisje të takimit dyditor në Qipro.
Lehtësim në radhët e BE-së
Orbán, i konsideruar pro qëndrimeve të Kremlinit dhe i cili nuk mori pjesë në takimet në Qipro, hoqi dorë nga kundërshtimi i tij disamujor ndaj një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe paketës së 20-të të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, pas humbjes së tij në zgjedhje.
Shumë liderë evropianë e mirëpritën këtë vendim, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
“Jam shumë mirënjohës që kredia e Bashkimit Evropian është miratuar më në fund”, tha Merz.
Ndërkohë që, shumë vende në BE shpresojnë për marrëdhënie më të mira me Hungarinë nën udhëheqjen e re dhe më pak mosmarrëveshje.
“Orbán na mbajti peng … për një kohë të gjatë”, tha kryeministri i Estonisë, Kristen Michal.
Çështje të tjera në agjendë
Përveç situatës në Ukrainë, liderët e BE-së pritet të diskutojnë gjithashtu pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme, përfshirë rritjen e çmimeve të energjisë dhe shqetësimet për mungesë të mundshme të karburantit të avionëve.
Të premten, në Nikozia, liderët do të trajtojnë edhe çështjet e brendshme të BE-së, përfshirë planifikimin e buxhetit afatgjatë për periudhën 2028–2034.
Një nga pikat kryesore të debatit mbetet mënyra e financimit të ambicieve të bllokut, përfshirë rritjen e konkurrueshmërisë dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, në një kohë kur shumë shtete përballen me kufizime buxhetore pas krizave të njëpasnjëshme.
Pas konsultimeve brenda BE-së, liderët do të takohen me përfaqësues nga Egjipti, Jordania, Libani dhe Siria për të diskutuar sfidat e përbashkëta.
