Bullgaria nuk i përshkallëzon kërkesat, por dëshiron të mbrojë”identitetin e bashkësisë bullgare në Maqedoni të Veriut, thotë ministrja

Nga D. V.
406 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sofie/Shkup, 8 Prill, Zhurnal.mk – Nadezhda Neynski, Ministre e Punëve të Jashtme në Detyrë e bullgarisë, tha për mediat bullgare ripërsëriti qëndrimet e Sofies se Bullgaria nuk është duke përshkallëzuar kërkesat ndaj Maqedonisë së Veriut në raport me para-kushtet e pajtuara edhe nga vendet e tjera të BE-së për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të vendit kandidat.
Ajo në një intervistë për televizionin BNT tha se kërkesa për ndryshim të kushtetutës së Maqedonisë së veriut, e pajtuar nga qeveria e kaluar në Korrik 2022 ka të bëjë respektimin e identitetit bullgar të bashkësisë bullgare në vendin fqinjë.

“Ata [v.j. VMRO-DPMNE] pretendojnë se Bullgaria po i përshkallëzon vazhdimisht kërkesat e saj. Nuk ka gjë të tillë. Dhe të gjithë vëzhguesit me qëllime të mira e dinë këtë. Bullgaria thjesht dëshiron të mbrojë njerëzit që kanë identitet bullgar, dëshiron të jetë e sigurt se ka një fqinj me të cilin mund të ketë marrëdhënie normale politike, ekonomike dhe kulturore,” citohet të ketë thënë Neynski.
Ajo përkujtoi se kërkesa e Bullgarisë tashmë është një pajtim i krejt vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e sipas saj, jo çështje dypalëshe [Sofie-Shkup].

“Dhe fakti është se kjo nuk është një çështje dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është tashmë një çështje midis Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila dëshiron të fillojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe vetë Bashkimit Evropian. Është normale që një vend kandidat të përputhet me këtë konsensus evropian, i cili përfshinë ndërprerjen e gjuhës së urrejtjes dhe përfshirjen e pakicës bullgare, ndër pakicat e tjera, në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut,” tha ajo.

Ditë më parë, zëvendësi i saj, Marin Raykov, i tha të njëjtit televizion bullgar, se janë mbi 210 000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë deklaruar dhe paraqitur dokumente se janë me origjinë etnike bullgare.
“Po flasim për ata që kanë ardhur në territorin e Bashkimit Evropian për të deklaruar origjinën e tyre bullgare. Dhe gjëja më e rëndësishme është që ata të paraqesin dokumente që vërtetojnë këtë origjinë. Dhe këta 210,000 njerëz janë padyshim pjesë e njerëzve që kanë një vetëdije të tillë. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në çdo rast, po flasim për një grup të konsiderueshëm”, tha ai për BNT Tv në një intervistë.
Kryeministri konservator maqedonas Hristijan Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE thonë se vendi nuk do ta përfshijë bashkësinë bullgare në Kushtetutë, nëse autoritetet bullgare nuk i pranojnë të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari dhe Shkupi nuk merr garanci zyrtare nga Sofja dhe BE-ja mbi identitetin dhe gjuhën maqedonase, të cilat bullgarët refuzojnë t’i njohin.

Mickoski dhe partia e tij kanë frikë se Bullgaria mund ta përdorë përsëri të drejtën e vetos në BE gjatë negociatave të anëtarësimit dhe të vendosë kushte të reja që mund të lidhen me gjuhën maqedonase dhe historinë, përveç kushtit që nga viti 2022 për të bërë ndryshime kushtetuese për bashkësinë bullgare.

Dy të tretat e 120 votave janë të nevojshme në kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të bërë ndryshime kushtetuese, por Mickoski dhe partia e tij e kanë shumicën e ulëseve kuvend, gjë që i bën ndryshimet të pamundura tash për tash.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër