Çdo mëngjes, në shërbim të pastërtisë! Çifti pensionist që i jep Tetovës një mësim qytetarie

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 8 nëntor Zhurnal.mk – Ky çift çdo ditë në orën 06:30 të mëngjesit vijnë në banjën e Tetovës. Në kohën kur shumë të tjerë zgjedhin të ankohen, Ziber dhe Fatime Memeti kanë zgjedhur të veprojnë. Ndonëse Ziberi është 75 vjeç, energjia dhe vullneti i tij nuk zbehen aspak teksa e bëjnë këtë rrugë në këmbë çdo mëngjes. Për më shumë se një muaj, çdo ditë deri në orën 10:00, ata mbledhin plastika, qese e mbeturina të lëna nga vizitorë të pandërgjegjshëm, për t’i kthyer pastërtinë dhe dinjitetin këtij vendi.

“Kam një muaj që unë rregullisht me shoqen pastroj, pasi më pengon… nuk e di pse, më vjen inat pse ne kështu të jemi. Më vjen inat edhe nga të tjerët, sepse këtu vijnë shumë njerëz, pleq, të rinj e të mesëm. Po unë vetë, nga vetja, e ruaj e pastroj. Te xhamia, këtë parcelën dhe rrugën e pastroj prej te kasha – ka filluar nga kasha e deri te mulliri – çka gjej mbeturina i mbledh; nga hidrocentrali çka gjej i sjell lart, e çka gjej i dërgoj poshtë afër atij restorantit, se ka kosha aty”, tha Ziber Memeti

Ky çift është i pandalshëm në punën e tyre. Përkundër viteve mbi supe, dinamizmi i Ziberit dhe përkushtimi i Fatimes frymëzojnë këdo që kalon andej. Për Fatimen, ky angazhim është një obligim moral ndaj tokës ku u lindën dhe u rritën, një dëshirë e zjarrtë për t’i lënë komunitetit një ambient të pastër.

“Dalim ecim për shëndetin tonë, kemi dalë burrë e grua çdo ditë aktivë. Një ditë burri mori një iniciativë: ‘A do dalim të pastrojmë, se është shumë papastërti?’. Ne jemi mësuar pastër, ashtu jemi mësuar; nuk është që ku hamë e pimë aty i lëmë sendet. Kam punuar në Zvicër 34 vjet, kemi dalë në pension tash, jemi pensionistë, dhe punojmë për pastërti. Nga verës, si kishte shumë turistë, njerëz e mërgimtarë, u mbush me mbeturina dhe thamë: ‘Hajde t’i pastrojmë’”, tha Fatime Memeti.

Fatimja thekson se zona ka pasuri natyrore të jashtëzakonshme, por faji mbetet te mungesa e ndërgjegjes sonë për t’i ruajtur ato.

“Kemi shumë vende të bukura – e kemi Kodrën e Diellit, e kemi banjën – dhe të gjithë ata që kanë një hall apo duan një shëtitje dalin, ecin, dhe këtë e kemi shumë të bukur. Po nëse ne vetë nuk e mbajmë pastër, nuk na ka faj askush”, tha ajo.

Kështu Ziber dhe Fatime Memeti po japin një nga leksionet më të bukura të qytetarisë me veprën e tyre të përditshme.

artikuj të ndërlidhura