Celibashi me drejtuesit e IFES: Digjitalizimi dhe IA, në funksion të integritetit të zgjedhjeve

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, zhvilloi sot një takim me Zëvendëspresidentin për Programet dhe Strategjinë në Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), Christopher Le Mon, si dhe Drejtorin e IFES për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, Nermin Nišić.

Përmes një njoftimi për mediet, Celibashi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi çështje të rëndësishme për zhvillimin dhe modernizimin e proceseve zgjedhore, me fokus te përdorimi i teknologjisë së informacionit në administrimin e zgjedhjeve, ndikimi i inteligjencës artificiale në administrimin, monitorimin dhe garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore, si dhe forcimi i programeve të trajnimit dhe edukimit zgjedhor.

Sipas Celibashit, trajnimi dhe edukimi zgjedhor mbeten faktorë të rëndësishëm për garantimin e proceseve zgjedhore profesionale, transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së dhe IFES, me synim rritjen e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e inovacionit në administrimin zgjedhor.

“Vlerësojmë ekspertizën që IFES ka mbi sistemet dhe proceset zgjedhore në mbarë botën dhe besojmë se bashkëpunimi KQZ-IFES do të kontribuojë në forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe besimit publik në proceset zgjedhore në Shqipëri”, u shpreh Celibashi.

Nga ana e tyre, bashkëbiseduesit vlerësuan përparimin e bërë nga KQZ-ja në administrimin e zgjedhjeve, veçanërisht në drejtim të zhvillimeve digjitale.

Sipas vlerësimit të tyre, përdorimi i inteligjencës artificiale në proceset zgjedhore, përfshirë edhe procesin e numërimit të votave, përbën një zhvillim të veçantë në administratat zgjedhore, jo vetëm në rajon, por edhe në nivel global.

Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit institucional për modernizimin e administrimit zgjedhor dhe forcimin e standardeve të integritetit dhe transparencës së proceseve zgjedhore në Shqipëri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër