Çfarë ndodhi pas lëndimit? Jude Bellingham zbulon se çfarë kaloi gjatë mungesës

Nga D. V.
449 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ylli i Real Madridit, Jude Bellingham, ka pranuar se gjatë shtatë javëve të fundit ka vuajtur jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht nga lëndimi që e mbajti jashtë fushave. Mesfushori anglez tashmë është rikthyer në formë dhe ndihet shumë më mirë.

22-vjeçari u rikthye në aksion të dielën mbrëma në derbin ndaj Atletico Madrid, duke luajtur 22 minuta në fitoren 3-2.

Kjo ishte paraqitja e tij e parë që nga 1 shkurti, pasi kishte munguar në 10 ndeshje për shkak të një dëmtimi në kofshë. Pas ndeshjes, ai tregoi se periudha e rikuperimit ishte e vështirë edhe emocionalisht.

“Shumë e gjatë. Shtatë javë. Kam qenë i mërzitur për një kohë të gjatë, por tani jam i lumtur sepse jam kthyer të stërvitem me shokët e skuadrës”, deklaroi Bellingham për RMTV.

“Si në ndeshjet e tjera, skuadra po luan jashtëzakonisht mirë tani, po mbrojmë dhe po sulmojmë shumë mirë. Sidomos në dy ose tre ndeshjet e fundit, dhe kjo është arsyeja pse po fitojmë kaq shumë”, u shpreh Bellingham.

Ai vlerësoi edhe atmosferën në stadiumin Santiago Bernabeu.

“Atmosfera ishte e pabesueshme. Tifozët në këto net janë gjithmonë të jashtëzakonshëm. Kjo atmosferë na ndihmon shumë dhe rrit përkushtimin e ekipit, veçanërisht në derbi apo kundër skuadrave të mëdha”.

Bellingham pati fjalë të mëdha për bashkëlojtarët e tij, Federico Valverde dhe Vinicius Junior, të cilët ishin vendimtarë në këtë fitore.

“Janë të jashtëzakonshëm. Në momentet e vështira, këta të dy gjithmonë gjejnë mënyrën për të ngritur nivelin e tyre dhe për të ndihmuar ekipin. Kur kemi pasur shumë mungesa për shkak të dëmtimeve, ata kanë qenë gjithmonë aty. Fede është shembull i qëndrimit, ndërsa Vini tregon si të rikthehesh pas një periudhe të vështirë. Ajo që po bëjnë tani është e pabesueshme”.

Bellingham, së bashku me Valverde dhe Vinicius, kishte qenë në qendër të kritikave në fillim të vitit, madje u raportua se ishin të pakënaqur me trajnerin Xabi Alonso.

Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga vetë lojtarët. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër