Trump: Ndalesë pesëditore e sulmeve kundër objekteve energjetike iraniane

Nga D. V.
404 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për një “zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive” në Lindjen e Mesme, duke njoftuar se për pasojë ka shtyrë për pesë ditë sulmet ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane, sipas BBC.

”Një ndalesë pesëditore e sulmeve kundër objekteve energjetike iraniane”, deklaroi Trump, sipas ANSA-s.

Sipas raportimeve të sotme, vendimi lidhet me përpjekjet për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të ulur rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Trump kishte paralajmëruar të shtunën mbrëma se Irani kishte 48 orë kohë për të rihapur kalimin detar të Hormuzit, duke kërcënuar se në të kundërt SHBA-ja do të shkatërronte centralet iraniane.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një arterie jetike për tregtinë botërore të naftës dhe gazit, ndaj zhvillimet atje po ndiqen me alarm nga tregjet dhe qeveritë.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer dhe Trump zhvilluan një bisedë telefonike prej rreth 20 minutash, të cilën Downing Street e përshkroi si “konstruktive”. Sipas zyrës së kryeministrit britanik, të dy liderët ranë dakord se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për rifillimin e transportit global dhe për stabilitetin e tregut ndërkombëtar të energjisë.

Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite paralajmëroi se pret “edhe disa javë të tjera luftime” kundër Iranit dhe Hezbollahut. Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se operacionet do të vazhdojnë, duke sinjalizuar se tensionet në rajon mbeten të larta pavarësisht përpjekjeve diplomatike të ditëve të fundit. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër