Çifti kroat kërkon dëshmitarë për martesën në Reddit: Nuk duam miq e as të afërm

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Një çift nga Kroacia ka vendosur të kërkojë në Reddit persona që do të dëshmonin në ceremoninë e tyre të martesës, pasi dëshiron të martohet pa dasmë, pa festë të madhe dhe pa praninë e miqve apo të afërmve.

Çifti, 36 dhe 40 vjeç, publikoi një njoftim në platformën Reddit, duke kërkuar një çift tjetër me dëshira të ngjashme, me të cilin do të shkëmbenin rolin e dëshmitarëve në ceremonitë e martesës.

Ata shpjeguan se dëshirojnë ta kryejnë ceremoninë vetëm në zyrën e gjendjes civile, pa organizime të mëdha dhe pa e kthyer këtë ditë në një ngjarje me shumë të ftuar.

Ideja e tyre është që të dy çiftet të jenë dëshmitarë të martesës së njëri-tjetrit, ta urojnë njëri-tjetrin, të pinë nga një pije dhe më pas secili të vazhdojë rrugën e vet, shkruan index.hr.

Çifti theksoi se është fleksibil sa i përket datës dhe vendit, por preferon zonën e Zagrebit.

Njoftimi shkaktoi reagime të shumta në Reddit. Disa përdorues e përkrahën idenë, duke e vlerësuar dëshirën e çiftit për një ceremoni të thjeshtë, ndërsa të tjerë shprehën habi për vendimin që të mos përfshijnë miqtë e tyre.

Njëri prej komentuesve i pyeti pse nuk dëshironin që miqtë të ishin dëshmitarë, ndërsa çifti sqaroi se nuk bëhej fjalë për mungesë shoqërie, por për dëshirën që këtë moment ta përjetonin në mënyrën e tyre.

“Nuk është puna te miqtë. Duam diçka tonën dhe për këtë nuk na duhen as miqtë, as të afërmit”, u përgjigjën ata.

Pas publikimit të njoftimit, në komentet e tyre u paraqitën edhe persona të interesuar. Një çift nga Zagrebi tregoi se kishte plane të ngjashme dhe se do të dëshironte të merrej vesh me ta për organizimin e ceremonive.

Një grua shkroi se ajo dhe partneri i saj synonin një martesë të thjeshtë, me nënshkrimin në gjendjen civile dhe një drekë të shkurtër, pa organizime të tjera.

Ajo tha se martesa do t’u mundësonte edhe pesë ditë pushim nga puna, pasi në shumë aspekte tashmë jetonin si të martuar.

Çifti që publikoi njoftimin e mirëpriti ofertën, duke lënë të hapur mundësinë që të organizojnë së bashku ceremonitë e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër