Shkup, 11 mars – Tetë ligje të ndryshohen në mënyrë që qindra viktima të mbrohen më mirë e më sigurt. Tragjedia e fundit në Karposh, ku një nënë dhe vajza e saj humbën jetën pas një historie të gjatë dhune të raportuar, ka tronditur opinionin publik dhe ka nxjerrë në pah dobësitë e sistemit ligjor dhe institucional në Maqedoninë e Veriut. Ky rast nuk është i izoluar, por një pasqyrë e qartë e mungesës së koordinimit mes institucioneve dhe zbatimit të ligjeve ekzistuese. Për këtë arsye, Trupi Koordinues Kombëtar ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme dhe ka propozuar ndryshime urgjente në tetë ligje kyçe, me synimin për të forcuar mbrojtjen e grave dhe fëmijëve nga dhuna, shkruan Zhurnal.
Cilat janë Ligjet që duhet të ndryshohen?
Lista e ligjeve që pritet të pësojnë ndryshime është e gjerë dhe prek fusha të ndryshme të sistemit juridik e social. Secili prej tyre ka një rol të veçantë në krijimin e një mekanizmi më efikas për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës. E cila për fatin tonë të keq ka çaluar shumë kohëve të fundit.
1. Ligji për kompetencat policore – Duhet të qartësojë dhe zgjerojë detyrimet e policisë për të vepruar menjëherë ndaj denoncimeve për dhunë, edhe kur viktima nuk kërkon procedurë. Ky ligj është kyç për të shmangur rastet kur policia kufizohet vetëm në marrjen e deklaratave.
2. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje – Synon të forcojë mekanizmat e mbrojtjes së menjëhershme, duke përfshirë urdhra mbrojtjeje të shpejtë dhe koordinim më të mirë mes institucioneve.
3. Ligji për Mbrojtjen Sociale – Duhet të garantojë mbështetje të plotë për viktimat, përfshirë strehim të sigurt, ndihmë financiare dhe shërbime psikosociale.
4. Ligji për Drejtësinë për Fëmijë – Ndryshimet synojnë mbrojtjen e fëmijëve të ekspozuar ndaj dhunës familjare, duke i trajtuar si viktima të drejtpërdrejta dhe jo vetëm si dëshmitarë.
5. Ligji për Ndihmën Juridike Falas – Duhet të sigurojë qasje të menjëhershëm dhe pa pengesa për viktimat që nuk kanë mundësi financiare për të ndjekur procedurat ligjore.
6. Ligji për Procedurën Penale – Synon të përshpejtojë hetimet dhe gjykimet për rastet e dhunës, duke shmangur vonesat që shpesh i ekspozojnë viktimat ndaj rrezikut të përsëritur.
7. Ligji për Procedurën Civile – Ndryshimet do të lehtësojnë marrjen e vendimeve të shpejta për urdhra mbrojtjeje dhe çështje të kujdestarisë së fëmijëve.
8. Ligji për Pagesën e Kompensimit në të holla të Viktimave nga Veprat Penale me Dhunë – Synon të garantojë që viktimat të marrin kompensim financiar për dëmet e shkaktuara, duke i ndihmuar të rindërtojnë jetën e tyre.
Gjitha këto ndryshime në këto Ligje konkrete me ndërhyrjet e nevojshme duke precizuar edhe arsyet dhe nevojat pse duhet të ndërhyhet, kanë sqaruar nga Ministria për Politikë Sociale, demografi dh Rini në seancën e jashtëzakonshme në kuadër të Trupit koordinues kombëtar për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Në dobi të kujt do të jenë këto ndryshime?
Ndryshimet e propozuara kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve që prekin shtresat më të rrezikuara që janë peng dhe viktima mbase edhe të zbrastirave ligjore të lartpërmendura.
Duke filluar nga gratë viktima të dhunës të cilat pas këtyre ndërhyrjeve do të kenë mbrojtje më të fortë, reagim më të shpejtë nga policia dhe qasje më të lehtë në drejtësi. Fëmijët do të trajtohen si subjekte të mbrojtjes ligjore, duke u garantuar siguri dhe kujdes të veçantë.
Në këtë drejtim, shoqëria civile do të përfshihet më shumë në procesin e monitorimit dhe zbatimit, duke rritur transparencën.Ndërkaq, institucionet shtetërore do të kenë mekanizma më të qartë për koordinim, duke shmangur dështimet e përsëritura.
Shoqëria në tërësi përfiton nga një sistem më i drejtë dhe më human, ku dhuna nuk tolerohet dhe viktimat nuk mbeten të pambrojtura. Ndryshimet e paralajmëruara në këto ligje nuk janë luks, por domosdoshmëri. Ato synojnë të mbyllin boshllëqet ligjore dhe institucionale që kanë lejuar tragjedi si ajo e Karposhit të ndodhin.
Kujtojmë që, nëse zbatohen me seriozitet këto reforma do të shërbejnë si një garanci për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të grave, fëmijëve dhe çdo qytetari që përballet me dhunë. Ky është një hap i vonuar, por i domosdoshëm drejt një sistemi më të drejtë dhe më të sigurt. /Zhurnal.mk
