Costa në Sarajevë thekson nevojën për reforma: BeH disa hapa larg fazës tjetër të negociatave me BE-në

Nga Xh M
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sarajevë, 1 qershor Zhurnal.mk – Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa deklaroi të hënën në Sarajevë se Bosnjë dhe Hercegovina është “vetëm disa hapa” larg fazës së ardhshme në procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE), duke u bërë thirrje autoriteteve të zbatojnë urgjentisht reformat kyç, raporton Anadolu.

Duke folur pas takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës në fillim të turneut të tij ballkanik, Costa theksoi se vizita konfirmon përkushtimin e BE-së ndaj politikës së zgjerimit.

“Bosnjë dhe Hercegovina duhet të vendosë nëse do të bëjë atë që është e nevojshme për të ndarë të njëjtën të ardhme në BE”, tha Costa.

Ai u bëri thirrje autoriteteve të miratojnë reformat e mbetura të sistemit të drejtësisë, të emërojnë negociatorin kryesor dhe të fillojnë zbatimin e agjendës së reformave, gjë që do të mundësonte qasje në fondet nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje.

Ai paralajmëroi se moszbatimi i reformave mund të ketë pasoja financiare.

“Bosnjë dhe Hercegovina tashmë ka humbur 108 milionë euro, ndërsa 373 milionë të tjera janë në rrezik në muajt e ardhshëm”, tha ai.

Costa kujtoi mbështetjen e BE-së përmes projekteve, misionit EUFOR Althea dhe Instrumentit Evropian të Paqes, duke theksuar se integrimi në tregun e përbashkët mund të sjellë përfitime edhe para anëtarësimit të plotë.

Duke folur për emërimin e një përfaqësuesi të ri të lartë, ai tha se është e rëndësishme që ky funksion të pasqyrojë përkushtimin e vendit ndaj rrugës evropiane.

Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, përsëriti se anëtarësimi në BE dhe NATO janë objektiva strategjike të vendit, duke vlerësuar se ka bllokime të vazhdueshme në këtë proces.

Anëtarja e Presidencës Zhelka Cvijanoviq deklaroi se fokusi i bisedimeve ishte ekskluzivisht në rrugën evropiane, duke theksuar se entiteti Republika Sërpska mbështet përfundimin e mandatit të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Costa do të vizitojë gjatë turneut rajonal edhe Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Tivat.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër