Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi sot rëndësinë e një procesi cilësor dhe gjithëpërfshirës për reformën territoriale, duke nënvizuar se nuk duhet të ketë kompromis mes kohës dhe cilësisë.
Gjatë një konference për mediet, Demo theksoi se Komsioni i Posaçëm për Reformën Territoriale, i ngritur në tetor, duhet të avancojë punën pa vonesa të panevojshme, duke paralajmëruar për rrezikun e zvarritjes së procesit. Ministri theksoi se qeveria synon ndërtimin e një sistemi efikas për menaxhimin e territorit, duke kërkuar angazhim nga të gjitha palët politike.
“Ne i kemi kushtet për të ndërtuar një reformë cilësore. Kjo nënkupton një qasje konstruktive nga të gjitha palët. Komisioni i Posaçëm është konstituar në tetor dhe me të njëjtën metodologji mund të humbasim dhe tre muaj të tjerë, mbase nuk kampin edhe 2031, është relative. Kushtet janë të tilla që të kemi reformë cilësore, pasi qasja e qeverisë është e qartë se ne duam të ndërtojmë një sistem që është në të mirë të menaxhimit të territorit”, tha Demo.
Ai shtoi se komisioni është ngritur mbi një frymë bashkëpunimi. Sipas tij, çdo përpjekje për të ngadalësuar procesin për arsye politike është e dëmshme.
“Palët të paktën të plotësojnë atë që kërkuan kur komisioni i posaçëm u ngrit, që të kishim një komision të posaçëm që do të bashkëjetohej, asnjë palë nuk bënte dot pa palën tjetër. Për shkak se ne besojmë se do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse dhe atë komision të posaçëm e bëmë me të njëjtën metodologji si Komisioni Zgjedhor. Për të kërcyer tango duhen dy. Jemi të hapur dhe të motivuar. Rol i qeverisë është konstruktiv dhe për të mbështetur komisionin.
“Kjo është një çështje që komisioni e ka marrë përsipër ta çojë para, ne kemi kapacitete njerëzore, politike, administrative. Nëse ne kalojmë në një proces, ku krijojmë situata që e ngadalësojnë procesin, thjeshtë me idenë për të humbur kohë dhe pastaj të themi nuk ka kohë, unë besoj se kjo nuk është një strategji e as e vështirë për t’u kuptuar, por mbi të gjitha është një strategji jo produktive për ata të cilët e ndjekin, sepse kemi parë dhe strategji të tjera që ka pasur bojkot të drejtpërdrejtë. Unë besoj se kjo është java e fundit nga komisioni që të marrë qëndrimin e vet dhe të ecim me metodologjinë që komisioni ka përcaktuar. I qëndroj idesë që seancat dëgjimorë ne territor janë të rëndësishme. I kanë instrumentet në dispozicion për ta çuar para këtë reformë ”, tha ai.
Në përfundim, ministri u shpreh që reforma të përmbyllet me një konsensus të gjerë politik.
