PD: Shpallim Gardën Revolucionare të Teheranit si organizatë terroriste

Nga D. V.
686 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas miratimit të rezolutës për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste.

Deputetët e grupit parlamentar të PD-së nuk ishin sot të pranishëm në seancën plenare të Kuvendit, ku u miratua rezoluta që e shpall Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit.

Ndërkohë, përmes një deklarate në rrjetet sociale, në lidhje me zhvillimet në Iran, theksohet se PD e shpall Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste.

Në deklaratë theksohet se PD mbështet përpjekjet e SHBA dhe Izraelit për të përmbysur diktaturën mizore teokratike të Ajatollahëve.

“Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.

“Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh këtyre vendeve solidaritetin e saj të plotë”, thekson PD.

Më tej, në deklaratë theksohet se “Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër