Shkup, 18 Mars, Zhurnal.mk – Deputeti Mile Cekov, i cili është anëtar i partisë maqedonase ZNAM, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, ka shprehur skepticizëm ndaj kërkesave të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe partisë së tij VMRO-DPMNE ndaj Bullgarisë dhe Bashkimit Evropian si kundër-kushte për të zhbllokuar rrugën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, shkruan Zhurnal.mk.
Mickoski ditë më parë ka përsëritur kërkesën që Bullgaria të respektojë të drejtat e pakicës maqedonase në Bullgari si dhe ka kërkuar garancione nga Bashkimi Evropian se nuk do të ketë kërkesa shtesë nga Sofia e blloku evropian ndaj Maqedonisë së Veriut të cilat do të kishin të bënin me identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase përgjatë bisedimeve të anëtarësimit.
Këto kundër-kërkesa Mickoski i bëri si kushte paraprake ndaj kushtit të Bullgarisë dhe BE-së për të ndryshuar kushtetutën për bashkësinë bullgare.
Por, Cekov kësaj jave është shprehur skeptik ndaj këtyre kundër-kushteve të paraqitura nga kryeministri dhe ndërkohë është shprehur në favor të përmbushjes së kërkesës sëBullgarisë, e me këtë edhe të Bashkimit Evropian, për ndryshimin e Kushtetutës sëvendit për përfshirjen e bashkësisë bullgare në Kushtetutë, sepse sipas tij nuk mund tëpritet që kërkesat e Mickoskit të pranohen nga Sofia e Brukseli.
“Personalisht, qëndrimi im për këtë çështje është se nuk kam asgjë kundër fqinjëve tanë. Unë jam kosmopolit për nga bindjet, Të gjitha komunitetet duhet të përfshihen në Kushtetutë. Nuk kam asgjë kundër votimit për ndryshimet kushtetuese. Personalisht nuk kam asgjë kundër përfshirjes së etnisë bullgare në Kushtetutë, nuk humbasim asgjë nga kjo,” ka deklaruar Cekov për Televizionin 24, transmeton Zhurnal.mk
Ai ftoi për të bërë këto ndryshime kushtetuese, sepse sipas tij nuk mund të pritet qëBullgaria dhe Bashkimi Evropian të realizojnë kërkesat e Mickoskit.
“Në këtë situatë të papërcaktuar në të cilën ndodhemi, duhet që të veprojmë më pragmatikisht dhe të miratojmë ndryshime kushtetuese. Në fund të fundit, nëse ka pengesa reale në lidhje me identitetin ose ndonjë çështje tjetër, sipas Kushtetutës kemi 81 deputetë dhe mund t’i ndalojmë. A nuk kemi ndonjë alternativë tjetër? Pyes veten se çfarë kemi? Që të ketë një ndryshim, korniza negociuese duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare. A do të bien dakord ata? Nuk e di, sepse partnerët tanë premtojnë se do të ketë një ndryshim në Kornizën Negociuese, por nuk e di nëse kjo është e realizueshme?,” ka thënë ai.
Qëndrimi i deputetit të ZNAM ndërkohë është qëndrim i tij personal e duket se nuk ështëqëndrim edhe i partisë në fjalë.
Në të njëjtën kohë, qëndrimet e Cekovit, sikur përputhen me një qëndrim të vitit të kaluar të LDSM-së, e cila thoshte që ndryshimet kushtetuese të bëhen e pastaj nëse Bullgaria do të kishte kërkesa shtesë ndaj identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase, atëherë vet Maqedonia e Veriut të dalë me qëndrim të qartë refuzues për realizim të tyre.
