Shkup, 15 mars – Tragjedia në lagjen Taftalixhe në Shkup, ku humbën jetën një nënë dhe vajza e saj gjashtëvjeçare, sipas fqinjëve ndoshta mund të ishte parandaluar. Ata thonë se për muaj të tërë kishin dëgjuar grindje dhe thirrje për ndihmë nga banesa ku jetonte familja.
Fqinja Tanja Spirovska në një deklaratë për mediat tregoi se dhuna nuk ishte një incident i izoluar, por një problem që kishte vazhduar për një kohë më të gjatë. Sipas saj, disa fqinjë kishin raportuar zhurma dhe dyshime për dhunë në familje.
Ajo zbuloi se vajza shpesh ishte e frikësuar dhe në disa raste kishte dalë nga banesa duke trokitur në dyert e fqinjëve për të kërkuar ndihmë për nënën e saj.
“Fqinjët thoshin se fëmija trokiste nëpër dyer dhe kërkonte ndihmë. Një herë, rreth orës dy pas mesnate, u dëgjua duke bërtitur: ‘Babi, do ta vrasësh mamin’”, rrëfen Spirovska, duke shtuar se ajo fjali do t’i mbetet përgjithmonë në kujtesë.
Sipas saj, disa herë janë bërë denoncime në polici. Në disa raste policia ka ndërhyrë, por fqinjët vlerësojnë se reagimi i institucioneve nuk ka qenë i mjaftueshëm për të parandaluar përfundimin tragjik.
