Drejtori i BSP-së Janev viziton SPB Tetovë: Forcimi i kapaciteteve operative dhe i sigurisë së qytetarëve

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 30 tetor Zhurnal.mk – Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, sot (30.10.2026), së bashku me një pjesë të drejtuesve të shërbimeve qendrore të BSP-së, realizoi një vizitë pune në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë.

Në fokus të takimit ishte gjendja aktuale e sigurisë, me theks të veçantë te zgjedhjet e parakohshme lokale që pritet të mbahen në Komunën e Bërvenicës. U konstatua se situata është stabile dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme operative dhe të sigurisë për zhvillimin e papenguar të procesit zgjedhor, mbrojtjen e të drejtës së votës dhe transportin e sigurt të materialit zgjedhor.

Drejtori Janev theksoi se policia ka për obligim të sigurojë kushte në të cilat çdo qytetar do të mund ta ushtrojë lirshëm dhe pa presione të drejtën e tij demokratike për të votuar. Ai potencoi se nuk do të ketë tolerancë ndaj kriminalitetit, frikësimit apo çfarëdo tentimi të shkeljes së procesit zgjedhor.

Në takim u diskutua edhe për avancimin e punës operative-analitike, shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin ndërmjet njësive organizative qendrore dhe rajonale, funksionimin e ekipit rajonal intervenues, si dhe bashkëpunimin ndërmjet policisë kufitare dhe SPB Tetovë. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe aktiviteteve për luftimin e tregtisë së palejuar të drogës.

U shqyrtuan edhe kushtet e punës së zyrtarëve policorë dhe mundësitë për rritjen e efikasitetit përmes përdorimit të teknologjive moderne dhe mjeteve digjitale, me qëllim shfrytëzimin më të mirë të burimeve dhe reagimin më të shpejtë ndaj sfidave të sigurisë.

Janev theksoi se Byroja për Siguri Publike do të vazhdojë me forcimin e kapaciteteve operative, koordinimin e drejtpërdrejtë dhe veprimin profesional, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe respektimit të vazhdueshëm të ligjeve.

artikuj të ndërlidhura