Radiçevski: Komuna është e të gjithë qytetarëve, nga Bërvenica deri në Çellopek, pa dallim etnie dhe përkatësie politike

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 30 tetor Zhurnal.mk – “Ky takim më bën krenar dhe më jep forcë shtesë që të vazhdojmë ta kultivojmë dhe ta ruajmë fuqinë e unitetit. Kur ju shoh të gjithëve para meje, të bashkuar dhe të harmonizuar, kjo është një mesazh se Bërvenica dëshiron zhvillim, përparim dhe kushte më të mira për jetë. Ky është edhe një obligim që rezultatet të vazhdojnë, por edhe një besim të cilin duhet ta arsyetojmë me vepra konkrete”, deklaroi kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Stojanço Radiçevski, në tubimin përmbyllës të mbajtur sot, para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohet të dielën, më 1 nëntor.

“Son­te ju drejtohem si miku, i njohuri dhe fqinji juaj, si një njeri që e do Bërvenicën dhe dëshiron që komuna jonë të jetë e suksesshme. Gjatë periudhës së kaluar, me shumë prej jush kam ndarë vizionin tim për të ardhmen e komunës. Çdo bisedë, çdo takim dhe çdo nevojë e shprehur përbën përgjegjësi, ndërsa kjo përgjegjësi kërkon përkushtim, prani në terren dhe punë konkrete.

Në vitet e ardhshme na presin sfida të rëndësishme. Këtu bëjnë pjesë problemet me furnizimin me ujë, rrugët lokale, mirëmbajtja gjatë dimrit, kushtet në shkolla dhe mundësitë për të rinjtë. Të gjitha këto çështje kërkojnë qasje serioze, planifikim dhe zgjidhje që do ta përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve”, theksoi Radiçevski.

Ai përcolli mesazhin se Bërvenica nuk i përket asnjë partie politike dhe asnjë bashkësie etnike, por të gjithë qytetarëve, nga Bërvenica deri në Çellopek, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo politike.

“Dua të jem i qartë: kjo komunë nuk i përket një partie politike dhe as një bashkësie etnike. Bërvenica u përket të gjithë atyre që jetojnë këtu, në Bërvenicë, Sellarcë, Stençë, Vollkovijë, Bllacë, Millatinë, Radiovcë, Çellopek dhe Gurgurnicë, të gjithëve pa përjashtim. Askush nuk duhet të përjashtohet, të nënvlerësohet apo të harrohet.

Ne do të vazhdojmë të jetojmë pranë njëri-tjetrit, t’i ndajmë të njëjtat sfida dhe të punojmë për një të ardhme më të mirë. Bashkëjetesa dhe uniteti ynë janë vlera që duhet t’i ruajmë. Bërvenicës i nevojitet dialog, respekt i ndërsjellë dhe përgjegjësi e përbashkët.

Maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe pjesëtarët e të gjitha bashkësive të tjera duhet të kenë mundësi të barabarta, kushte dinjitoze për jetë dhe perspektivë për familjet e tyre. Vizioni ynë duhet të jetë i orientuar drejt së ardhmes, zhvillimit dhe rezultateve konkrete. Zhvillimi i komunës nuk duhet të njohë ndarje. Çdo vendbanim meriton vëmendje, çdo qytetar meriton respekt dhe çdo ide e mirë meriton mbështetje”, theksoi Radiçevski.

Radiçevski nënvizoi se mundësitë për të rinjtë, arsimi cilësor, infrastruktura më e mirë dhe krijimi i kushteve për zhvillim ekonomik janë prioritetet që kërkojnë përkushtim afatgjatë.

Ai theksoi se të rinjtë duhet të kenë mundësi ta ndërtojnë të ardhmen e tyre pranë prindërve dhe familjeve, në vendlindjen e tyre, të punojnë, të krijojnë dhe të ndërtojnë shtëpitë e tyre në komunën ku janë rritur.

“Një Bërvenicë për të gjithë”, shtoi Radiçevski, është vizion për zhvillim afatgjatë dhe të barabartë. Kjo është një ide që përfshin të gjitha vendbanimet, të gjitha gjeneratat dhe të gjithë qytetarët. Bërvenicës i nevojitet përgjegjësi e përbashkët, bashkëpunim dhe projekte konkrete që do të sjellin jetë më të mirë. Të ardhmen do ta ndërtojmë me prioritete të qarta, përkushtim dhe respekt për çdo njeri.

“Për komunën tonë, për fëmijët tanë dhe për gjeneratat e ardhshme, të dielën ju bëj thirrje që ta vazhdojmë idenë për një Bërvenicë për të gjithë, të votojmë numrin 1, ta vulosim fitoren e përbashkët dhe ta ruajmë fuqinë e unitetit. Një Bërvenicë për të gjithë”, bëri thirrje në fund kandidati për kryetar komune, Stojanço Radiçevski.

artikuj të ndërlidhura