Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Drejtori gjeneral i MEPSO-s, doc. dr. Burim Latifi, mori pjesë si panelist në MEF 2026, në sesionin “From Reform to Delivery: Building a Competitive and Resilient Energy Future”, ku prezantoi projektet kryesore investuese dhe zhvillimore të kompanisë të orientuara drejt përforcimit të rrjetit elektrotransmetues dhe mbështetjes së tranzicionit energjetik.
Gjatë fjalimin të tij, ai u ndal në korridorin elektroenergjetik lindje-perëndim, një iniciativë rajonale në të cilën Maqedonia e Veriut ka rol të rëndësishëm. Në kuadër të planeve nacionale parashihen 18 projekte me vlerë të përgjithshme rreth 350 milionë euro, mes të cilave largpërçues të rinj 400 kV, trafostacione dhe interkonekcione që do të mundësojnë lidhje më të madhe dhe kapacitete transmetuese në rajon.
“Bashkëpunimi rajonal në energjetikë nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Përmes interkonekcioneve dhe koordinimit ndërmjet operatorëve mund të ofrojmë siguri më të madhe në furnizim, integrim më të mirë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe përdorim më efikas të kapaciteteve transmetuese. Optimizimi rajonal është më efikas dhe më ekonomik sesa izolimi nacional”, theksoi drejtori i MEPSO-s.
Ai veçoi gjithashtu projektet për ndërtimin e interkonekcionit Manastir – Elbasan, trafostacionin e ri 400 kV në Miletkovë, si dhe investimet e planifikuara në modernizimin dhe revitalizimin e rrjetit të transmetimit. Paralelisht, MEPSO vazhdon aktivitetet për digjitalizimin e sistemit, vendosjen e sistemeve moderne të menaxhimit dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Sipas drejtorit Burim Latifi, këto investime do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, integrimin më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe forcimin e mëtejshëm të ndërlidhjes energjetike rajonale.
