Durmishi: Qëllimi i shportës së konsumit është të pasqyrojë në mënyrë transparente dhe reale shpenzimet e qytetarëve, e jo të paraqesë shifra më të ulëta

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk –  Në mbledhjen e sotme të Këshillit Ekonomik-Social (KES), partnerët socialë diskutuan për disa çështje me rëndësi për punëtorët, punëdhënësit dhe standardin e jetesës së qytetarëve, me theks të veçantë te shporta mesatare e konsumit, e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se qëllimi i metodologjisë së re për përllogaritjen e shportës së konsumit është të sigurojë një pasqyrë objektive, transparente dhe të bazuar në të dhëna statistikore të shpenzimeve reale të familjeve, e cila do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave cilësore ekonomike dhe sociale.

“Qëllimi ynë nuk është të paraqesim një shifër më të ulët, por të sigurojmë një pasqyrë të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në statistika të shpenzimeve të familjeve. Të dhënat duhet të na shërbejnë si bazë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe ndërmarrjen e masave që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve”, theksoi ministri Durmishi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shporta mesatare e konsumit për muajin shtator 2026 arrin në 58.117 denarë për një familje katëranëtarëshe, që paraqet një ulje prej 358 denarësh, përkatësisht 0,6 për qind krahasuar me muajin gusht. Njëkohësisht, në krahasim me muajin janar të këtij viti, vlera e shportës është rritur për 1.736 denarë ose 3,1 për qind.

Ministri theksoi se këto të dhëna konfirmojnë nevojën për monitorim të vazhdueshëm të lëvizjeve të çmimeve, por edhe për vlerësim të kujdesshëm të presioneve mbi buxhetet familjare. Në kuadër të mbledhjes u prezantua edhe metodologjia për përllogaritjen e shportës së konsumit, e cila përfshin 11 kategori shpenzimesh dhe 101 produkte ushqimore. Përllogaritja bazohet në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për tetë qytete, informacionet mbi çmimet e frutave dhe perimeve nga 23 tregje, si dhe të dhënat nga pesë zinxhirë të mëdhenj tregtarë dhe tre zinxhirë rajonalë.

Përmes kësaj qasjeje, Ministria siguron një përfshirje më të gjerë të çmimeve dhe konsumit në nivel të gjithë vendit, me qëllim që të krijohet një pasqyrë më përfaqësuese e shpenzimeve të familjeve.
Sa u përket dallimeve me përllogaritjet e tjera të shportës së konsumit, ministri sqaroi se ato burojnë nga struktura, përfshirja dhe burimet e ndryshme të të dhënave. Dallimet më të theksuara vërehen te ushqimi dhe pijet, veshmbathja dhe këpucët, arsimi, banimi dhe shpenzimet komunale, ndërsa në kategori të caktuara, si mirëmbajtja e amvisërisë, rekreacioni dhe kultura, përllogaritja e Ministrisë tregon vlera më të larta.
“Përllogaritjet e ndryshme nuk duhet të jenë arsye për kontestime të ndërsjella, por nxitje për diskutim konstruktiv dhe hartim të politikave të bazuara në të dhëna relevante.

Asnjë statistikë nuk mund ta zëvendësojë kujdesin e vërtetë për fuqinë blerëse, sigurinë ekonomike dhe jetën dinjitoze të qytetarëve”, theksoi Durmishi.
Përveç shportës së konsumit, në mbledhjen e Këshillit Ekonomik-Social u diskutuan edhe çështjet që lidhen me ditët jopune, punën të dielave, mundësitë për vendosjen e javës katërditore të punës, si dhe rregullimin e stazhit pensional.

Ministri theksoi se të gjitha këto çështje kërkojnë shqyrtim të kujdesshëm, harmonizim të interesave të ndryshme dhe përfshirje aktive të partnerëve socialë. “Këshilli Ekonomik-Social është vendi ku i dëgjojmë argumentet e sindikatave, punëdhënësve dhe institucioneve. Përcaktimi ynë është që përmes dialogut social të hapur dhe konstruktiv të arrijmë deri te zgjidhjet që do t’i mbrojnë të drejtat e punëtorëve, do të sigurojnë parashikueshmëri për punëdhënësit dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës”, porositi ministri Durmishi. Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të dialogut
social, monitorimit transparent të treguesve ekonomikë dhe hartimit të politikave të qëndrueshme, të orientuara drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe jetesës për të gjithë qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër