Nunez: Do të vazhdojmë të mbajmë kufizimet ndaj protestave

Nga D V
A+ A-
Rivendos
Paris, 26 tetor, Zhurnal.mk –  Franca do të vazhdojë të zbatojë kufizime ndaj protestave në shkallë kombëtare kundër rritjes së kostos së jetesës, me qëllim parandalimin e përsëritjes së trazirave të rënda të regjistruara rreth një javë më parë, deklaroi sot ministri i Brendshëm, Laurent Nunez.

“Për të qenë plotësisht i sinqertë, situata gjatë ditëve të ardhshme nuk do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që kemi parë deri tani”, tha Nunez për transmetuesin BFMTV.

Protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe në mbështetje të përmirësimit të kushteve në arsim u shoqëruan me akte dhune dhe plaçkitje në disa qytete më 17 tetor. Autoritetet akuzuan aktivistë të së majtës ekstreme se kishin depërtuar në demonstrata dhe i kishin shfrytëzuar ato për të shkaktuar kaos.

Në përgjigje të situatës, autoritetet franceze vendosën shtetrrethime lokale dhe kufizuan numrin e demonstratave gjatë fundjavës së kaluar.

Prania e shtuar e policisë të shtunën parandaloi një valë tjetër trazirash të përmasave të ngjashme me ato të javës pararendëse. Megjithatë, sipas Ministrisë së Brendshme, 1 435 persona u arrestuan, ndërsa më shumë se 150 protestues dhe 267 efektivë policie u plagosën.

Protesta të tjera janë planifikuar për të shtunën e ardhshme dhe më 5 nëntor, krahas një greve të përgjithshme.

Nunez deklaroi sot se prefektët do të vendosin për vazhdimin ose jo të shtetrrethimeve në dhjetra qytete në konsultim me kryetarët e bashkive.

Ai shtoi se do të ruhet gjithashtu ndalimi i demonstratave në qendrat e qyteteve, për shkak të rrezikut për sigurinë publike.

Sipas ministrit, ngjarjet e së shtunës treguan se grupe të prirura për dhunë kishin depërtuar në marshimet protestuese në Paris dhe në disa qytete të tjera, me synimin për të provokuar përshkallëzimin e situatës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet të zhvillojë sot një vizitë të paparalajmëruar në Marsejë, qytet ku rreth një javë më parë u regjistruan trazira të rënda dhe plaçkitje.

Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu pritet të takohet me përfaqësues të nxënësve për të diskutuar kërkesat e tyre për shkolla më të pajisura dhe më shumë mësues.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër