Prishtinë, 13 gusht, Zhurnal.mk – Policia e Kosovës ka realizuar dy ekstradime të personave të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, nga Gjermania dhe Hungaria drejt Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, më 12 gusht 2026, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi kosovar M.T., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja edhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, më 13 gusht, nga Hungaria është ekstraduar në Kosovë shtetasi i Serbisë, I.S., i cili po ashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për të njëjtën vepër penale.
Edhe I.S. pas ekstradimit iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në kuadër të DRP-së në Prishtinë, për procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime janë mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë e Hungarisë.
Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprimtari kriminale brenda dhe jashtë vendit.
