Nën titullin “The Skin of Light” rikthehet Edicioni i tretë i Gjon Mili International Video Art Festival . Një ftesë për të parë dritën jo vetëm si burim ndriçimi, por si një sipërfaqe ku takohen kujtesa, perceptimi dhe forma.
Këtë vit, nga 1,230 aplikime të ardhura nga mbarë bota, vetëm 62 artistë janë përzgjedhur për të sjellë po aq interpretime të marrëdhënies së tyre me dritën shpesh si një “lëkurë” që pulson midis botës virtuale dhe asaj reale, mes ndjeshmërisë dhe ndërveprimit.
Festivali do të zhvillohet në tre lokacione, duke nisur me Korçën në , 27-29 gusht në Muzeun Gjon Mili, vendi ku nisi gjithçka, ku për tre ditë video arti do të bashkëjetojë me kujtesën dhe historinë, në një lojë të pandërprerë dritash e formash.
Më pas festivali udhëton në Dhërmi nga data 1-3 shtator mes shtëpive të vjetra dhe qiellit të hapur, ndërsa ndalesa e fundit do të jetë Manhattan, New York, nga data 28 shtator 4 tetor në zemër të qytetit ku Gjon Mili arriti famën e tij.
Programi përfshin një natë kushtuar artistëve fitues dhe tre ditë me prezantime të veprave të artistëve të zgjedhur, duke e shfaqur dritën si një element të ndjeshëm, të lëvizshëm dhe gjithmonë në ndryshim.
Me këtë edicion, Gjon Mili International Video Art Festival jo vetëm nderon trashëgiminë e mjeshtrit të fotografisë dhe dritës, por edhe krijon një urë mes vendeve, kulturave dhe mënyrave të reja të të parit, shkruan RTSH.

