Editorial / Bexhet Muslija: “POKER” loja e Taravarit me VLEN-in, mund t’i kthehet bumerang!

nga Redaksia

Shkruan Behxhet Muslija

Shkup, 17 prill – Ndarja e VLEN-it ka hapur shumë pikëpyetje. Duket se ka hapur kutinë e dilemave, pa mos thënë “kutinë e pandorës” sepse shumë lëvizje të turbullta ende po mbeten të mjegulluara. Gjithsecili ditëve të fundit e pyet vetveten çfarë i ngjau Arben Taravarit që të veprojë kështu siç veproi?

Duke ndjekur në vazhdimësi skenën politike në Maqedoninë e Veriut, dua të të drejtohem ty zotëri Arben Taravarit, kryetar i ASH-së dhe mjek i njohur e ministër i Shëndetësisë.

Në ditët e para kur në media fillove të shpalosësh pakënaqësitë e tua ndaj partnerëve tuaj “VLEN”, se në qeveri si VLEN jeni të dobët, personalisht këto vërejtje i pash si të drejta, por duke menduar se vërejtjet ishin me qëllim të mirë për vet VLEN-in.

Vlerësova se ndoshta kjo ishte për të përmirësuar punën e disa funksionarëve, zëvendës-ministrave e drejtorëve, të cilët duket edhe pas muajsh të kaluar ende nuk e kanë gjetur veten dhe nuk po dalin dot në pah.

Nuk kam mundur të gjej një përpjekje tuajën, zotëri Taravari që pakënaqësitë tuaja për punën e pjesëtarëve të VLEN në qeveri 8 muaj pas themelimit të qeverisë të kesh tentuar ta vendosësh në tavolinën ekipore të VLEN, për ta përmirësuar atë. Puna e ekipore e kërkon këtë konstruktivitet, por në rastin tuaj, ndodhi e kundërta, i mbete besnik individualizmit dhe interesit të personit tënd.

Menjëherë pas pak ditëve që nga deklarimi publik për pakënaqësitë tuaja dhe vërejtja publike për qeverisje të dobët, u përqendrove në synimet subjektive.

Dole me « informatë » tjetër që sipas anketave që i ka bërë ASH-ja, partia yte qenka shumë e fortë, dhe fillove me tezën e dytë se për VLEN-in në zgjedhjet lokale duhet të dilet me lista të hapura për këshilltarë, se mund të bashkëpunojmë edhe me BDI-në, mund të bëjmë marrëveshje të reja, mund të kemi komuna më shumë… e shumë shumë argumente tjera. Nga ky moment më tepër u shfaq një pasqyrë tjetër, edhe atë që nuk qenka problemi aspak për qeverisja e dobët e funksionarëve, por halli qenka te një interes tjetër subjektiv.

 Pse vlerësoj se kishte interes subjektiv e jo interes ekipor për VLEN !

Nga anketat që supozoj t’i ketë bërë një person brenda ASH-së, Institut i njohur edhe për publikun të kanë ardhë informatat se: Nga anketa e parafundit, ti si lider i ASH-së, ke qenë për pak përqindje më lartë në krahasim me kryetarët e tjerë të VLEN-it, ndërsa në anketën e fundit e bërë nga ASH-ja, rezultaton që Arben Taravari si lider ka pak ulje, e të tjerët në VLEN shkojnë me pak ngritje.

Mendoj se këto rezultate të kanë dhënë shqetësim se pas disa viteve mund të futesh nën hije për tu bë lider i VLEN-it, dhe se nëse kjo parti do të shkrihej në një subjekt të vetëm, pak do ishin mundësitë të jesh lider i VLEN-it. Pra mendimi im i parë është se kjo mund të jetë një nga arsyet për ftohje të raporteve mbrenda koalicionit VLEN. 

Pse me lista të hapura? ASH-ja veçse ka marrëveshje me BDI për zgjedhjet lokale!

Duke menduar mirë dhe duke e ditur se për partnerët e koalicoinit brenda VLEN-it , propozimi për të shkuar me lista të hapura në zgjedhjet lokale, për Bilallin, Izetin, Zekirijain, Qokun, kjo do të jetë e papranueshme, kjo do të shkon në favor tëndin dhe ASH-së, me arsyetimin se “ne provuam me VLEN-in, por ata nuk deshën”, andaj dhe na u ndan rrugët.

Por, për mua ky  GUXIM, vjen pas informatave të sigurta se ti veçse më je takuar me Ali Ahmetin dhe ke arritur një marrëveshje që në disa komuna (publikisht, apo marrëveshje e fshehur) të bëni mbështetjen e njëri tjetrit. Kjo në poltikë ndoshta s’është asgjë e keqe, e këtë e pohove edhe vetë, se në rrethin e dytë, mund të bashkëpunoni me BDI-në nëse asaj i duhet dikund mbështetja juaj, dhe juve mbështetja e BDI-së. Këtë po e theksoj vetëm sa për ta bërë të ditur se cili është shkaku dhe interesi subjektiv.

Komunat që do t’i donte t’i fitonte ASH-ja!

Nëse elaboroj shkurtimisht komunat që do të dëshironte t’i merrte ASH-ja dhe cfarë mund të ofroj BDI-ja, “nëse do mbijetoj marrëveshja mes tyre”, do të dalin skenare të çuditshme!

Arben Taravariu për ASH-në do të kërkojë mbështetje nga Ali Ahmeti dhe do të dëshironte t’i merr komunën e Gostivarit, Likovën, Strugën, Studeniçanin, Sarajin, Vrapçishtin. Por, a është i sigurt dhe i vetëdijshëm Taravri se këto komuna a do t’ia jepte Ahmeti.

Nëse Ali Ahmeti ia ofron Strugën Aleancës së Taravarit, do të shkaktonte përçarrje brenda “Frontit” në Strugë, duke e ditur se pikërisht partner në koalicion e ka Zijadin Selën, i cili rrezikoi partinë dhe kredibilitetin e tij gjatë bashkëpunimit me BDI-në. Gjithashtu do të përçante trupin votues të BDI-së, kur lojtar kyç është Ramiz Merko.

Nëse Ahmeti do të mbështeste blanko Taravarin për ta fituar Gostivarin, atëherë do të shkakton përçarrje brenda BDI-së në Gostivar, duke e ulur interesin e votuesve dhe degave të BDI-së që të dalin në votime, por edhe duke bërë përçarje më të thellë brenda këtij grupi.

Nëse Ahmeti ia ofron Saraj-in Aleancës së Taravarit, atëherë si do ta rehatonte Blerim Bexhetin, i cili u nda nga grupi i `zjarrit dhe u kthye sërish em Ahmetin.

Nëse Ahmeti ia ofron mbështetjen për Likovën, atëherë pse duhej të mbetej në BDI, Sadulla Duraku! Kjo do të shkaktonte përçarrje brenda BDI-së në Likovë.

Ja që të supozojmë se Ali Ahmeti do t’ia ofroj këto komuna ASH-së, atëherë kjo do të ishte vetvrasje për BDI.

Mendoj se Taravarit loja e tillë e “POKER-it” me VLEN-in mund t’i kthehet bumerang. Sepse për fitore në Gostivar, mbështetja e VMRO-së është vendimtare. Nëse Taravari shkon me Ahmetin, atëherë do ta humbasë mbështetjen e VMRO-s, e njëjta vlen edhe për në Strugë.

Prandaj, deri në zgjedhje lokale, duke filluar nga sot, me ndarjen e ASH-së nga VLENI, të gjitha opsionet janë në tavolinë për të gjitha subjektet për në zgjedhje lokale. Çdo kombinim është i mundur dhe askush nuk është i sigurt.

Pse Taravari po i bën shërbim BDI-së me këto veprime do ta zbardhë koha! Populli thotë “asnjë llogari s’mbetet për botën tjetër, të gjitha do lahen në këtë botë”!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More