Shkup, 6 gusht – Opozita maqedonase LSDM gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se qeveria aktuale e drejtuar nga VMRO DPMNE po bën negociata të fshehta me Bullgarinë dhe po përgatit terrenin për pranimin e propozimit francez. Ministria e Punëve të Jashtme i ka hedhur poshtë këto pretendimet duke i cilësuar ato si të pavërteta. Ende nuk dihet nëse do të dal diçka nga ky muhabet i opozitës, por çështja me Bullgarinë kërkon përgjegjësi të veçantë, e cila duhet të trajtohet me transparencë, korrektësi dhe mençuri politike. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë po ndodh mes dy vendeve, por sigurisht atëherë kur ka diçka konkrete, shkruan “Zhurnal.mk”.
LSDM: Qeveria po përgatit terrenin për propozimin francez
Anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Andrej Zhernovski, deklaroi në një konferencë për shtyp se Qeveria po përgatit terrenin për pranimin e propozimit francez.
Sipas tij, informacionet nga Brukseli tregojnë se qeveria e Mickoskit tashmë ka rënë dakord për këtë dhe se kanë mbërritur sinjale të qarta nga Brukseli, Berlini dhe Parisi.
Sipas LSDM-së qeveria aktuale po përpiqet ta paraqesë si sukses atë që më parë e kritikoi si të papranueshme.
Prandaj, ai konsideron se do të bëhet e qartë se LSDM kishte thënë të vërtetën kur ishte në pushtet, se LSDM mori angazhime dhe votoi për vendime që ishin në dobi të qytetarëve, edhe pse ato ishin të vështira.
MPJ: Nuk ka marrëveshje sekrete
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJ) ka hedhur poshtë pretendimet e LSDM-së për ekzistencën e një marrëveshjeje sekrete ose negociatave sekrete me Bullgarinë në lidhje me rrugën evropiane të vendit. Sipas tyre, kjo është një tjetër përpjekje për të krijuar histeri dhe për të dezinformuar publikun.
Ata shtojnë se institucionet komunikojnë rregullisht me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me institucionet evropiane, me Bullgarinë dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, këto diskutime zhvillohen në mënyrë transparente dhe qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe i konfirmuar publikisht në mënyrë të përsëritur.
Si duhet të kërkohet zgjidhja me Bullgarinë!
Zgjidhja me vendin fqinjë Bullgarinë është shumë e rëndësishme dhe kërkon një trajtim të veçantë. Situata gjeopolitike në botë ka diktuar shumë gjëra, duke iu bërë të ditur të dy vendeve, edhe Maqedonisë së Veriut por edhe Bullgarisë, se koha nuk punon në dobi të asnjërës palë. Prandaj, është më se e rëndësishme që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.
Megjithatë, largë emocioneve ditore, diplomacitë e dy vendeve duhet të gjejnë një zgjidhje që është në interes të përbashkët. Qeveritë e dy vendeve së bashku me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, është e nevojshme që të takohen, të bisedojnë dhe të gjejnë pika ku dy vendet fqinjë mund të pajtohen dhe të zhbllokojnë procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian.
Të zhvillohen bisedime pas “perdeve”, kjo është legjitime në diplomaci, sepse jo çdoherë të gjitha detajet duhet adresuar opinionin. Por, ajo që është me rëndësi, në një moment të caktuar, duhet që çdo detaj që paraprakisht është dakordësuar midis palëve, pastaj në mënyrë transparente, korrekte dhe pa asnjë hile t’i bëhet publike qytetarëve dhe të merret mendimi i tyre.
Pas gjithë sakrificave me ndryshimin e emrit, Maqedonia e Veriut kërkon që mos të ketë lëshime ndaj interesave kombëtare, identitetit, gjuhës dhe historisë.
Nëse, anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet një përcaktim strategjik dhe qëllim përfundimtar i kësaj Qeverie, atëherë duhet që politika e jashtme të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme, parimore dhe në përputhje me interesat kombëtare dhe vullnetin e qytetarëve.
Qytetarët duhet të sigurohen se Qeveria e di qartë se e ndjek qëndrimin e qytetarëve për këtë çështje dhe për cilat çështjet nuk është e përgatitur të negociojë.
Vendi duhet të punojë për një zgjidhje që në vetvete do të jetë e qëndrueshme. Marrëveshja që do të dakordësohet me Bullgarinë, duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët dhe njëherë e përgjithmonë të mbyllë boshllëkun e krijuar midis dy fqinjëve. Prandaj, kjo qeveri duhet t’i qaset kësaj çështje me guxim, qetësi, argumente dhe të jetë transparente dhe korrekte sa i përket raportit me qytetarët. Gjithçka tjetër, do të konsiderohet tradhëti dhe humbje e besimit, shkruan “Zhurnal.mk”.
