Editorial / Costa në Shkup me mesazh për Mickoskin: Keni besim te BE-ja, kapeni momentin tani!

Nga B.M
611 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 maj, Zhurnal.mk – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë një vizitë në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, gjatë së cilës do të takohet me udhëheqësit në rajon dhe do të diskutojë mundësitë dhe sfidat e zgjerimit të BE-së, integrimin gradual, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkan Perëndimor në Tivat më 5 qershor. Gjatë këtij turneu ai do të vizitojë Shkupin dhe do të takohet me Kryeministrin Hristijan Mickoski, shkruan “Zhurnal.mk”.

Çfarë mesazhi do të dërgojë Costa për Ballkanin Perëndimor!

Në njoftimin e lëshuar për media, mes tjerash Costa ka shkruar se turneu i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një mesazh të qartë: Angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq real sa edhe mundësia e zgjerimit. Stimuli ekziston, ndërsa tani është koha për të dhënë rezultate.

Antonio Costa që njihet si mbështetës i zgjerimit, nga vendet e Ballkanit Perëndimor ai pret përshpejtim të reformave. Gjithmonë është thënë se BE-ja është gati për zgjerim, por vendet e Ballkanit duhet të tregojnë rezultate konkrete.

Progresi varet drejtpërdrejt nga sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit, ndërkaq shumë me rëndësi është tejkalimi i mosmarrëveshjeve bilaterale, sidomos mesazhi krysor që do t’i jepet Shkupit zyrtar është se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kusht i pashmangshëm për anëtarësim. Në këtë drejtim, qëndrimi i BE-së është i qartë se Maqedonia e Veriut duhet të respektojë marrëveshjet e kaluara për të zhbllokuar hapat e ardhshëm drejt BE-së, në veçani Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

Një mesazh tjetër shumë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor është stabiliteti gjeopolitik, i cili është vendimtar për sigurinë e të gjithë Evropës. Prandaj liderët duhet të harmonizojnë plotësisht politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së.

Balkani Perëndimor gjithashtu duhet të punojë për integrim sa më të mirë ekonomik, sepse fondet prej miliarda eurove do të ndahen vetëm nëse plotësohen reformat e rrepta ekonomike dhe strukturore.

Ndalesa e parë Antonio Costa-s në turneut të tij në Ballkanin Perëndimor do të jetë Sarajeva, pastaj do të vizitojë Tiranën dhe Shkupin. Më pas, Costa do të udhëtojë për në Prishtinë dhe në Beograd dhe në mbrëmjen e 4 qershorit, ai do të marrë pjesë në një darkë në Tivat, të shtruar nga kryeministri malazez Jakov Milanoviç për udhëheqësit e rajonit, me rastin e 20 vjetorit të ringjalljes së pavarësisë së Malit të Zi. Të premten, më 5 qershor, Costa do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkan Perëndimor, me temën qendrore “Prosperiteti dhe Stabiliteti i Përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, shkruan “Zhurnal.mk”.

Keni besim te BE-ja, kapeni momentin tani!

Kur Antonio Costa u bë President i Këshillit Evropian, ai trashëgoi një nga projektet më komplekse të papërfunduara të BE-së: integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Në turneu i tij të fundit — hera e parë që një President i Këshillit viziton të gjashtë partnerët në një vizitë të vetme — nuk ishte një akt ceremonial, por ishte një sinjal.

Qartë u tha disa herë se “e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian!”. Duke i ditur përçarjet e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, BE-ja u bën apel të gjitha popujve në Ballkan se është koha më e mirë për të pas faqen e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti.

Udhëtimi i Kostës vjen në mes të një urgjence të përtërirë gjeopolitike. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur ndërgjegjësimin për dobësitë e BE-së, veçanërisht në periferi të saj. Zgjerimi nuk ka më të bëjë vetëm me vlerat – është një çështje sigurie strategjike. Ndërkaq edhe lufta në Lindjen e Mesme dhe kriza e naftës, tregon se BE-ja duhet të jetë më e bashkuar dhe më e kompletuar.

Prandaj, mesazhi kryesor do të jetë qëndrueshmëri dhe besim në rrugën e BE-së. Konsistencë nga BE-ja — në mbajtjen e zgjerimit në krye të agjendës së saj. Dhe konsistencë nga partnerët e BE-së — në përqafimin e reformave dhe në harmonizimin me vlerat e BE-së. Ndërkaq, besim – që mund të ndërtohet vetëm përmes dialogut të hapur. Brenda vendit, në nivel rajonal dhe me Brukselin.

Turneu i Costas nuk njofton traktate të reja, por ai do të rikthej atë që mungon në bisedimet e zgjerimit: fokusin politik, duke shtuar se ky moment mund të jetë vendimtar për zgjerimin e BE-së.

Sa i përket porosisë në Shkup, Costa e ka thënë disa herë se Maqedonia e Veriut është përballuar me më shumë pengesa se shumica e shteteve tjera — nga mosmarrëveshja për emrin me Greqinë deri te tensionet e fundit mbi ndryshimet kushtetuese të lidhura me të drejtat e pakicës bullgare. Prandaj, Maqedonia e Veriut ka treguar përkushtim dhe tani është koha për të dhënë rezultate. Mesazhi kryesor nga Brukseli është se “Maqedonia e Veriut mund të mbështetet te BE-ja për të hyrë në një kapitull të ri”, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër