Editorial / Prokurori i ri Saveski t’i trajtojë lëndët sipas provave dhe fakteve, jo nën ndikim politik

Nga B.M
775 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 mars, Zhurnal.mk – Prokurori i ri Publik i Shtetit Nenad Saveski sot ka bërë betimin solemn në Parlament. Ai u zgjodh me 66 vota “pro”, 2 “kundër” dhe 8 “abstenime”, ndërsa është prokurori i nëntë republikan që nga pavarësia në vitin 1991, ose i 19-ti që nga viti 1945. Zgjedhja e tij vjen pas dorëheqjes së Ljupço Kocevskit, dhe mandati zgjat gjashtë vjet me mundësi rizgjedhjeje. Ai mori mbështetjen e partive në pushtet, por jo edhe mbështetje më të gjerë politike nga deputetët e opozitës, kështu që edhe ky emërim në opinion u konsiderua politik. Ai ka marrë përsipër detyrë të rëndësishme, prandaj duhet t’i përvesh krahët e t’i zgjidhë lëndët që me vite kanë qenë problematike, shkruan “Zhurnal.mk”.

Saveski mos ta mbyll “njërin sy” për interes të politikanëve!

Kryeprokurori Saveski ka marrë përsipër një detyrë shumë të rëndësishme, të një institucioni i cili ka qenë gjithmonë në shënjestër të opinionin për mos trajtimin e drejtë të rasteve penale. Shpeshherë ky institucion ka mbyllur njërin sy duke punuar në interes të pushtetit dhe në këtë formë janë mbrojtur politikanë të korruptuar dhe janë sulmuar politikanë të opozitës. Gjithkush që ka pasur lidhje me pushtetin, lëndët i janë mbajtur nëpër sirtarë, ndërsa të tjerë janë gjykuar me vite nëpër gjykata.

Prandaj, prokurori i ri publik duhet që ta bazojë punën e tij në Kushtetutë, ligje, Marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara dhe standarde ndërkombëtare. Ai dhe institucioni që ka marrë për sipër ta drejtojë duhet t’i përmbushë pritjet e qytetarëve, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Me rëndësi është modernizimi dhe dixhitalizimi i Prokurorisë Publike, në drejtim të futjes së një sistemi përmes të cilit do të menaxhohej shpërndarja e lëndëve, përkatësisht caktimi i tyre te prokurorët publik, siç është rasti në gjykata. Në këtë mënyrë do të jetë e mundur të monitorohet puna e secilit prokuror publik individualisht.

Problem i theksuar deri më tani ka qenë mostransparenca e prokurorisë ndaj opinionit për shumë raste, prandaj Saveski duhet të garantojë transparencë dhe llogaridhënie për punën e secilit prokuror publik, shkruan “Zhurnal.mk”.

Prokuroria ka probleme me buxhetin!

Mangësi e vazhdueshme është konsideruar buxheti i pamjaftueshëm i Prokurorisë Publike, i cili nuk i përmbush nevojat themelore. Prokurori i ri duhet të punojë me institucionet e tjera që janë përgjegjëse për këtë punë dhe t’iu ofrojë prokurorëve kushte dinjitoze për punë.

Fakt është se Prokuroria ka nevojë për burime financiare, lufta kundër krimit kërkon mbështetje financiare, prandaj duhen kushte që të luftohet krimi në mënyrë efektive.

Prokuroria duhet të ketë aftësinë financiare për të luftuar, për ta monitoruar dhe për të goditur krimin, dhe kushdo që ka shkelur ligjin të sillet para drejtësisë dhe të ndiqet penalisht.

Prokurori i ri mos t’i lë punët në gjysmë!

Ajo që është shumë e rëndësishme për prokurorinë dhe të gjithë sistemin juridik në Maqedoninë e Veriut është se lëndët që i fillojnë nuk duhet të lihen në gjysmë. Populli thotë, “puna e lënë në gjysmë është më keq se ajo që nuk është filluar aspak” dhe fatkeqësisht për prokurorinë në të kaluarën ka qenë karakteristike që punët të filloheshin dhe pastaj të ndërpriteshin varësisht kush nga funksionarët paraqitej dhe intervenonte në prokurori.

Lëndë atraktive për opinionin për momentin janë akuza ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, dëshmia e tij dhe çfarë lëndë tjera do të hapen. Gjithashtu janë edhe keqpërdorimet në Termocentralin e “Manastiri”, bonuset e larta të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), por edhe raste tjera siç janë licencat e “marihuanës”, “Soravia” dhe shumë lëndë të tjera.

Saveski duhet kryesisht të trajtojë lëndët sipas provave dhe fakteve, e jo t’i politizojë rastet dhe të merret me dirigjim nga politika.

Ekziston një rregullim ligjor për përsëritjen e procedurave, nuk varet nga vullneti ose pritjet e askujt. Në thelb, pavarësisht se sa e rëndësishme është një lëndë ose me interes publik, fokusi nuk mund të vendoset vetëm në ato raste, kurse rastet e tjera, të cilat janë më pak të rëndësishme të neglizhohen. Çdo rast është i rëndësishëm dhe në të gjitha rastet vendoset për fatet e njerëzve prandaj fati i të gjithëve është po aq i rëndësishëm. Me rëndësi është që çdo rasti duhet t’i jepet rëndësi e barabartë, kujdes maksimal dhe drejtësi maksimale!, shkruan “Zhurnal.mk”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër