Shkup, 29 korrik – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Itali, por edhe ata që shkojnë përkohësisht si turista, nuk mund të drejtojnë një makinë. Kjo për shkak se patentat për shofer të Maqedonisë së Veriut nuk po njihen në Itali, pavarësisht faktit se ekziston një marrëveshje për njohjen dhe shkëmbimin e ndërsjellë të patentave. Kjo situatë është shkaktuar pasi me ndryshimet fundit të emrit të shtetit dhe futjen e disa kategorive të reja në Maqedoninë e Veriut, marrëveshja aktuale ka dalë jashtë përdorimit. Italianët mund të drejtojnë makinat tek ne, pasi konsiderohen qytetar të BE-së, por qytetarët tanë nuk mund t’i drejtojnë në Itali. Viktime e vetme mbeten qytetarët tanë, edhe atë për fajin e proceseve birokratike dhe administrative të dy vendeve, shkruan “Zhurnal.mk”.
Edhe pse ka marrëveshje, Italia nuk i pranon patentë-shoferët e Maqedonisë së Veriut!
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut me qëndrim të përhershëm në Itali, nuk mund ta shkëmbejnë më patentën e tyre me një patentë italiane dhe duhet ta japin përsëri provime.
Edhe kompanitë italiane që japin makina me qira, nuk u japin vetura qytetarëv ëtë Maqedonisë së Veriut me arsyetimin se patenta e përdoruesit nuk është nga BE-ja dhe se këta qytetarë duhet të kenë një patentë ndërkombëtare për të marrë me qira një automjet.
Ministria e Brendshme të Maqedonisë së Veriut në faqen zyrtare të internetit pohon se vendi ka një marrëveshje me Italinë, por “aktualisht në Republikën e Italisë nuk është e mundur të shkëmbehen lejet e drejtimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut, po punohet për zgjidhjen e kësaj situate”.
Problemi aktual është mospërputhshmëria teknike midis dy modeleve të lejeve të patentave të shoferit, sepse në anën e Maqedonisë së Veriut janë shtuar kategori shtesë, të cilat nuk janë në patentat e shoferit të Bashkimit Evropian.
Për shkak të kësaj situate, autoritetet italiane këmbëngulën në përfundimin e një marrëveshjeje të re, e cila do të nënkuptonte një përsëritje të plotë të të gjithë procedurës për njohjen e dokumentit të patent shoferit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Brendshme thonë se janë duke u bërë përshtatjet përfundimtare të Marrëveshjes për Njohjen e Lejeve të Patentave midis dy vendeve, të cilat duhet të përfundojnë nga pala italiane, shkruan “Zhurnal.mk”.
Italianët mund të drejtojnë makinat pa asnjë problem në Maqedoninë e Veriut
Edhe përkundër faktit që thuhet se Marrëveshja nuk është aktive, italianët nuk preken nga ky bllokim dhe mund ta bëjnë konvertimin direkt të patentës së tyre në Maqedoninë e Veriut.
Legjislacioni i Maqedonisë së Veriut dhe marrëveshjet dypalëshe lejojnë që shtetasit nga vendet e Bashkimit Evropian (përfshirë Italinë) që rregullojnë qëndrimin e përhershëm në Maqedoninë e Veriut të konvertojnë lejen e tyre të drejtimit direkt dhe pa provim. Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë pengesë administrative me formatin ose emërtimin e dokumenteve italiane.
Problemi është ekskluzivisht tek autoritetet italiane (Motorizzazione Civile). Sistemi i tyre zyrtar nuk pranon më formatin e ri të patentave me mbishkrimin “Maqedonia e Veriut”, sepse kërkojnë që marrëveshja e re teknike të nënshkruhet fillimisht nga Ministria e tyre e Transportit.
Prandaj, një shtetas italian që zhvendoset në Shkup mund ta ndërrojë patentën pa problem, ndërsa një shtetas i Maqedonisë së Veriut që zhvendoset në Romë apo Milano aktualisht është i detyruar ta japë provimin e patentës nga e para nëse ka qëndrim më të gjatë se një vit.
Gjithashtu, sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut dhe Konventës së Vjenës mbi Trafikun Rrugor, lejet e drejtimit të lëshuara nga vendet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Italinë, që përdorin alfabetin latin dhe të dhënat standarde njihen plotësisht për periudha të shkurtra (zakonisht deri në 6 muaj), shkruan “Zhurnal.mk”.
Pse nuk po pranohen patentat e Maqedonisë së Veriut!
Marrëveshja e parë e suksesshme dypalëshe për njohjen dhe konvertimin reciprok të patentë-shoferëve midis Maqedonisë së Veriut dhe Italisë ka hyrë zyrtarisht në fuqi në vitin 1998. Kjo marrëveshje u ripërtërit përsëri përmes një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në korrik të vitit 2015.
Marrëveshja e vjetër paraprake skadoi dhe humbi vlefshmërinë për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues të shtetit (në Maqedonia e Veriut), ndryshimit të ligjeve të huaja në Itali, si dhe futjes së kategorive të reja në patentat e Maqedonisë së Veriut, siç janë mjetet bujqësore, që kërkojnë përshtatje të re teknike.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut i ka përgatitur dhe dërguar të gjitha dokumentet e harmonizuara tek autoritetet italiane, ndërsa vendimi final mbetet në dorë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit në Itali për të hedhur nënshkrimin zyrtar. Deri në nënshkrimin e këtë marrëveshjeje të re, autoritetet e motorizimit civil në Itali (Motorizzazione Civile) nuk i pranojnë patentat e Maqedonisë së Veriut për konvertim direkt.
Është me rëndësi, që autoritet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin sa më shpejtë të gjitha hapat e nevojshëm që mos të pësojnë qytetarët tanë. Duket qartë se këtu pësojnë vetëm shtetasin e Maqedonisë së Veriut dhe askush tjetër. Deri në zgjidhjen finale, të paktën të kërkohet një afat shtesë që policia italiane mos t’iu bëjë problem qytetarëve tanë dhe të kenë të drejtë të drejtojnë makinat me dokumentet aktuale. Nuk është faji i qytetarëve për problemet teknike dhe administratrive të Italisë, prandaj kërkohet zgjidhje urgjente!, shkruan “Zhurnal.mk”.
