Miliardat e BE-së zbulojnë një Ballkan Perëndimor me dy shpejtësi

Nga I.A
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 korrik, Zhurnal.mk – Rreth një vit pasi nisën pagesat e para të lidhura me reformat, zbatimi i pabarabartë i tyre ka zbuluar dallime të mëdha në përkushtimin politik në të gjithë Ballkanin Perëndimor, shkruan portali nga Brukseli Euractiv.

Më shumë se një vit pas nisjes së Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, vetëm Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia kanë siguruar më shumë se një këst të pagesave të lidhura me reformat.

Përparimi i pabarabartë tregon se paqëndrueshmëria politike po pengon disa vende, por njëkohësisht ngre dyshime nëse qeveritë po ndërmarrin ndryshime të qëndrueshme apo thjesht po respektojnë afatet për të siguruar financimin.

Komisioni Evropian e nisi këtë plan në vitin 2023 me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE. Plani e lidh financimin me zbatimin e reformave konkrete ekonomike, institucionale dhe në fushën e sundimit të ligjit, duke u ofruar gradualisht gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje më të madhe në segmente të tregut të vetëm evropian.

“Plani i Rritjes është një përshpejtues i integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”, deklaroi komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës së saj në Shkup vitin e kaluar.

Megjithatë, Marko Todoroviq, analist në Qendrën për Politika Evropiane në Beograd, tha se ky plan nuk i ka përmbushur pritjet.

“Ai u prezantua si një instrument për konvergjencë socio-ekonomike dhe qasje në tregun e vetëm, por ky premtim nuk u realizua”, tha ai.

Kosova dhe Bosnja

Kosova mori 61,8 milionë euro si parafinancim në prill, por kriza politike 18-mujore ka penguar aftësinë e saj për të zbatuar reformat.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, deklaroi për Euractiv se vendi nuk mund të ecë përpara derisa të zgjidhet kriza politike.

Sipas qeverisë, Kosova së fundmi humbi rreth 40 milionë euro pasi nuk i përmbushi objektivat e reformave që duhej të realizoheshin deri në fund të qershorit. Nëse mbetet pa një qeveri funksionale që mund të miratojë ligjet e nevojshme, deri në fund të vitit mund të humbasë deri në 250 milionë euro.

Bosnja dhe Hercegovina ende nuk i ka përfunduar reformat sipas planit, prandaj nuk ka mundur të përfitojë nga fondet.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, gjatë një vizite të fundit në Sarajevë paralajmëroi se çdo vonesë e mëtejshme do të sillte humbje shtesë. Bosnja tashmë ka humbur 108 milionë euro dhe deri në fund të vitit mund të humbasë më shumë se 370 milionë euro.

Në të dyja vendet, pengesa kryesore mbetet paraliza politike, e cila i pamundëson qeveritë të marrin vendimet e nevojshme për të siguruar ndihmën financiare.

Edhe Serbia përballet me atë që raportuesi i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, e quan “prapakthim demokratik”.

Serbia mori një pagesë në janar, por Picula bëri thirrje për pezullimin e pagesave të mëtejshme derisa Beogradi të dëshmojë përkushtim më të madh ndaj reformave të kërkuara nga BE-ja.

“Serbia ka një administratë të aftë dhe një shumicë të rehatshme parlamentare, prandaj dështimet e saj janë çështje prioritetesh”, tha Todoroviq. “Presioni tani do të rritet, pasi fondet e pashfrytëzuara mund të ridrejtohen te vendet që po udhëheqin procesin.”

Vendet kryesuese

Ndërkohë, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë siguruar disa këste pagesash, pavarësisht sfidave të tyre politike.

Shumicat e qëndrueshme qeverisëse, si në Shqipëri, dhe kompromiset politike, si në Mal të Zi, kanë ndihmuar në zbatimin e reformave.

Megjithatë, Nevenka Vuksanoviq, drejtoreshë e Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në Podgoricë, paralajmëroi se përparimi i Malit të Zi nuk përkthehet gjithmonë në ndryshime të verifikueshme strukturore.

“Ajo që shoh, sektor pas sektori, është një model i qëndrueshëm: objektivat sasiore janë përmbushur ose tejkaluar, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm për të verifikuar në mënyrë të pavarur domethënien e këtyre shifrave shpesh mungon, nuk publikohet ose paraqitet në një formë që nuk mund të verifikohet”, deklaroi ajo për Euractiv.

Sipas saj, hendeku ndërmjet progresit të deklaruar dhe atij të verifikueshëm është më i madh pikërisht në fushat që BE-ja i vlerëson më shumë – pavarësinë e gjyqësorit dhe sundimin e ligjit.

Edhe Maqedonia ka vazhduar zbatimin e masave të parashikuara në plan, megjithëse ende nuk i ka miratuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të avancuar në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Todoroviq paralajmëroi se miratimi i reformave nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato do të zbatohen siç duhet ose do të jenë të qëndrueshme.

“Nëse paguheni për të miratuar një ligj brenda një afati të caktuar, ju e miratoni ligjin dhe për zbatimin shqetësoheni më vonë”, tha ai.

Sipas tij, “ajo që solli Plani i Rritjes është një listë e përbashkët, publike dhe me afate të përcaktuara të detyrimeve, ku çdo hap ka një çmim”, duke e cilësuar këtë si një mekanizëm më të fortë se kriteret e mëparshme, më të përgjithshme, të procesit të zgjerimit të BE-së.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi për Euractiv se programi është njëkohësisht instrument integrimi dhe test i aftësisë së qeverive për të zbatuar reformat.

Viti i parë i zbatimit tregon se stimujt financiarë mund të përshpejtojnë ndryshimet, por nuk mund të kompensojnë paralizën politike, institucionet e dobëta apo mungesën e përkushtimit afatgjatë, përfundon Euractiv.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër