Editorial / RMV përballë testit të seriozitetit për mos të humbur paratë e BE-së

Nga D. V.
721 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut ndodhet në një test të ri nëse institucionet e saj janë në gjendje t’iu përshtaten ritmit dhe kalendareve të BE-së për të bërë reformat ligjore për të merituar paratë nga fondi i ri për rajonin.

Paralajmërimi i Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të humbasin mbi 700 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse nuk përmbushin reformat deri më 30 qershor, e vendos edhe Maqedoninë e Veriut përballë një prove të madhe besueshmërie.

Qeveria dhe parlamenti do të duheshin që një seri ligjesh t’i miratojnë deri në Qershor deri në qershor, e zyrtarët në Shkup thonë se kjo çështje do të ketë epilog pozitiv, shkruan Zhurnal.mk

Vendi përballë sfidës së qershorit
Nga Ministria e Çështjeve Evropiane thonë se Maqedonia e Veriut do të jetë ndër tre vendet e para që do të përmbushin projektet e Agjendës së Reformave. Këtu kryesisht bëhet fjalë për ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, Këshillin Gjyqësor, përbërjen e gjykatave, liberalizimin e tregut të energjisë dhe harmonizimin me rregullativën e BE-së.

Nëse deri më 30 qershor miratohen këto ligje, Maqedonia e Veriut jo vetëm që do të sigurojë rreth 70 milionë euro mbështetje financiare, por edhe do të dërgojë një mesazh të qartë se vendi është i gatshëm të ecë me ritmin e integrimit evropian.

Zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, flet për përparim në fusha kyçe si menaxhimi i financave publike, tranzicioni energjetik dhe kapitali njerëzor. Por sipas saj sfidat nuk mungojnë reformat ligjore komplekse, periudha e greis dhe nevoja për transparencë e llogaridhënie. Këto nuk janë pengesa të vogla janë pikërisht ato që kanë vonuar integrimin për vite me radhë.

“Mendoj se po punojmë me përkushtim në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në gjithçka që kërkohet nga ne si shtet. Njëkohësisht mbeten sfida, veçanërisht në pjesën e reformave ligjore komplekse dhe hapat brenda periudhës së greis, por ajo që është pozitive është se po forcojmë llogaridhënien dhe transparencën. Këtë e njeh populli, por edhe institucionet evropiane, se Maqedonia po punon me përkushtim për reformat dhe për detyrimet e marra me Agjendën e Reformave”, deklaroi Viktorija Trajkov, zëvendësministre në Ministrinë e Çështjeve Evropiane, për MKD.mk.

Weitz alarmon se i duhet akoma shumë punë vendit
Thomas Weitz, tha se qeveria në Shkup nuk ka mbyllur 8 nga 10 pikat e agjendës së reformave dhe ato duhet të mbyllen, pra të finalizohen.
“Qershori është shumë afër dhe shpresoj shumë që qeveria do të arrijë t’i përmbushë ato. Në shtatë javët e fundit, kemi parë njëfarë progresi. Ndërkohë, po flasim për 49 milionë euro dhe, siç thashë, vetëm dy nga 10 pikat janë përmbushur plotësisht”, tha Weitz në intervistë për TV Kanal 5.

Ai theksoi se disa gjëra janë ende në pritje, siç janë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe për të tjerët që punojnë në institucione.

“Ende ka pyetje të hapura në lidhje me energjinë, ka ende tetë pika specifike që duhen finalizuar ose plotësuar. Koha është e shkurtër, por nuk po heq dorë nga shpresa se qeveria do të ketë sukses sepse do të ishte një turp i vërtetë nëse Maqedonia e Veriut nuk do të merrte këto pothuajse 50 milionë euro nga Plani i Rritjes dhe ato para do të shpërndaheshin më pas në vendet e tjera të rajonit”, tha ai.

Perspektiva evropiane oksigjen për zhvillimin e rajonit
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me 6 miliardë euro të dedikuara për rajonin, është një mundësi e rrallë. Për Maqedoninë e Veriut, përmbushja e reformave nuk është vetëm çështje financiare, por edhe çështje kredibiliteti. Nëse vendi arrin të jetë ndër të parët që përmbush detyrat do të fitojë jo vetëm fonde por edhe besimin e Brukselit.

Kujtojmë që, afati i 30 qershorit është një provë e madhe për Maqedoninë e Veriut. Ai do të tregojë nëse vendi është i aftë të kalojë nga retorika e integrimit tek praktika e reformave.

E përdërisa qeveria zotohet se do të përmbushë këto reforma ligjore për të marrë këto fonde të reja nga BE-ja rruga për në të njëjtën mbetet e bllokuar meqë parti amë e madhe dhe kryeministri mbeten të pandryshuar në qëndrimin e tyre për kërkesën e Bullgarisë dhe BE-së për ndryshimin e kushtetutës për të futur në të bashkësinë bullgare. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër