Editorial / Sindikata kërkoi rritje pagash për 10%, qeveria u premtoi 8%, në fund u dha 7%

Nga B.M
985 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 prill, Zhurnal.mk – Në ditën e gënjeshrave, qeveria nuk e mbajti premtimin për rritje pagash për 8%. Në muajin shkurt kryeministri Hristijan Mickoski publikisht tha se do t’i rrisë pagat në administratën shtetërore për 8% çdo vit dhe jo nga 10 % siç kërkon sindikata.

E për përfundim, në pagat që duhet t’i merrnin punëtorët me 1 prill, u njoftuan se ata do të marrin rritje për 7 %. Edhe më i keq është fakti se në daljen publike në fillim të muajit shkurt u tha se rritja deri në vitin 2028 do të jetë mbi 40 %, por në fakt kjo rritje do të jetë vetëm 21%, shkruan “Zhurnal.mk”.

Premtimi se mbi 10,000 administratorëve do t’iu rriten pagat për 40% deri në vitin 2028?!

Më 8 shkurt të këtij viti, qeveria njoftoi se ka arritur marrëveshje me përfaqësuesit e sindikatës për të nënshkruar kontrata individuale për disa nga punonjësit e administratës, me anë të së cilës pagat do të rriten me një përqindje çdo vit, dhe deri në vitin 2028 ato do të rriten me 40% të shumës që marrin tani.

Marrëveshja mbulon mbi 10,000 administratorë të cilët, sipas sindikatave, deri më tani kanë mbetur prapa në rritjen e pagave krahasuar me punonjësit e tjerë dhe kanë pasur pagat më të ulëta. Midis tyre, për shembull, janë zyrtarë në gjykata dhe prokurori.

“Ajo që është rënë dakord është se me çdo përshtatje të pagës minimale, do të marrim një rritje përqindjeje, e cila deri në vitin 2028 duhet të arrijë në rreth 40% rritje të pagës për të gjithë ata që nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale”, kishte thënë atëherë Trpe Deanoski, president i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë, Organe Gjyqësore dhe Shoqata Qytetare (UPOZ).

Kjo marrëveshje është e vlefshme deri në vitin 2028, deri në të cilën kohë qeveria pret të arrijë një marrëveshje me sindikatat për një marrëveshje të re kolektive të përgjithshme.

“Ne, si qeveri, jemi të përgatitur të ulemi dhe të negociojmë një marrëveshje të re kolektive të përgjithshme, e cila do të jetë i vetmi mjet mbi bazën e së cilës do të paguhen pagat, në këtë periudhë deri në vitin 2028 – pres që kjo të jetë në një periudhë më të shkurtër, së bashku me dy sindikatat përfaqësuese”, kishte thënë atëherë kryeministri Hristijan Mickoski, shkruan “Zhurnal.mk”.

Sindikata kërkoi rritje prej 10%, qeveria u premtoi 8% !

Në shkurt qeveria e pranoi kërkesën e Sindikatave, por jo plotësisht. Ajo pranoi të paguajë shtesat e pagave për punëtorët në administratën shtetërore dhe gjyqësorin, gjatë disa viteve, në 3 këste, 8 përqind secila, për fat të keq jo edhe 10 për qind sa kishin kërkuar në fillim punëtorët.

Qeveria nuk e pranoi rritjen e vitit të kaluar, por tha se ka rënë dakord t’i paguajë që tani e tutje këto rritje, duke filluar nga muaji mars 2026, përmes një metode në të cilën të gjitha institucionet nga administrata shtetërore dhe gjyqësori, domethënë gjykatat, prokuroritë, do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje kolektive individuale për të marrë këtë të drejtë.

Teksti i këtyre marrëveshjeve kolektive duhej të përgatitet së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë dhe sindikatës. Më pas, marrëveshjet duhet të hidheshin në votim para organeve dhe trupave të sindikatës, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ministrat mburren se i rritën pagat 7% – jo ashtu siç premtuan!

Ministrat e qeverisë çdo ditë vazhdojnë të dalin nëpër konferenca për shtyp dhe të publikojnë se kanë nënshkruar Marrëveshje kolektive me sindikatat e punëtorëve të tyre për rritjen e pagave për 7 për qind shtesë çdo vit në tre vitet e ardhshme.

Kështu ka ndodhur me shumicën e ministrive që nuk i kishin rritur pagat nga 30 për qind siç i kishin bërë disa ministri dhe institucione tjera. Me nga 7 për qind janë rritur pagat në Ministrinë e Ekologjisë, Punës dhe Politikës Sociale, punëtorët administrativ nëpër kopshte, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria për Sistem Politik, Ministria e Ekonomisë etj, ndërsa vitin e kaluar dhe dy vite më parë, Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, e Financave, e Kulturës, Sekretariati në qeveri, Komunat dhe shumë organe qeveritare, i kishin rritur pagat nga 30 %, plus kanë rritje të rregullt vjetore nga 5 për qind.

Rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut është 46.617 denarë, ndërsa administrata shtetërore në ministritë që kanë mbetur më të varfërat, marrin paga nga 27.000 e deri në 40.000 denarë.

Aktualisht, paga minimale në Maqedoninë e Veriut është 24,397 denarë (pothuajse 400 euro). Sipas zgjidhjes ligjore, ajo duhet të rritet me rreth 2.000 denarë në mars, por në realitet ajo do të rritet vetëm 1400-1600 denarë.

Prandaj, kjo qeveri nuk vepron drejt kur disa punëtorë të saj marrin paga të larta, e disa të ulëta, për punën e njëjtë që e bëjnë. Ky diskriminim është shkelje e të drejtave të punëtorit dhe nënçmim i dinjitetit të tij, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër