Është ngritur aktakuzë kundër 13 nëpunësve policorë për zjarrin në Koçan

nga D. V.

Shkup, 30 janar  – Është ngritur aktakuzë kundër 13 nëpunësve policorë – katër shefa dhe nëntë policë që kryen kontroll aksionar në diskotekën “Puls” në Koçan mbrëmjen e 16 marsit të vitit të kaluar, kur ndodhi zjarri në të cilin e humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.

Ata, siç u informua sot në brifing në PTHP NJKOK me prokuroren publike të rastit Ivana Aleksova Trajçeva, akuzohen se, si bashkëkryerës, kanë kryer vepër penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, sipas nenit 292 paragrafi 2, në lidhje me nenin 288 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 2, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.

Një pjesë e të akuzuarve, duke vepruar sipas planit të përmendur për kontroll aksionar në kabarenë “Puls” në Koçan, në natën kritike të 16 marsit 2025, nuk kanë ndërmarrë masa përkatëse për mbrojtje për personat e pranishëm, as masa për të parandaluar aktivizimin e pajisjeve pirotenkike në skenë, megjithëse përdorimi i piroteknikës nuk ishte paraqitur në SP Koçan. 

Aktakuzën, të cilën prokurori i rastit nga Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve pranë PTHP NJKOK, e dorëzoi sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup, bazohet në procedura hetimore që përfshinë 27 nëpunës policorë.

Për të gjitha personat e akuzuar, siç sqarojnë nga Prokuroria, mbeten në fuqi masat për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë, deri në vendimin e gjykatës kompetente. 

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në periudhën kohore nga 14 deri më 16 mars 2025 nuk kanë vepruar në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse, duke miratuar dhe zbatuar një Plan për kontroll aksionar të objekteve hotelierike në zonën e SP Koçan, pa verifikuar nëse ai ka përfshirë të gjitha kontrollet që janë në kompetencë të MPB-së, si dhe nëse janë respektuar dispozitat e Procedurave Standarde Operative për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut gjatë kryerjes së punëve policore.

“Si pasojë e kushteve të papërshtatshme të punës gjatë kontrollit aksionat, ka ndodhur zjarri, me ç’rast ata kanë kontribuar në shkaktimin e vdekjes së 63 personave, ndërsa 223 persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore”, theksojnë nga Prokuroria. 

Përveç kësaj, në Gjykatën Themelore Penale Shkup është dorëzuar edhe propozim prokurorial kundër nëntë nëpunësve policorë, të akuzuar për Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar. 

“Të akuzuarit nuk kanë kryer kontroll të plotë dhe të detajuar lidhur me dhënien e pëlqimit pozitiv për lëshimin e licencës për kryerjen e veprimtarisë hotelierike të kabaresë “PULS” në Koçan dhe kanë mundësuar që i njëjta të pajiset me licencë në vitin 2022 dhe 2023, ndërsa me qëllim për të siguruar përfitim pasuror për personin juridik në një shumë totale më të madhe se 284.576,00 denarë për vitin 2022 dhe përfitim pasuror për pronarin joformal të klubit, në një shumë totale prej 335.916,00 denarë pagë bruto”, theksojnë nga Prokuroria. 

Shtesë, në Gjykatën Themelore Penale Shkup është paraqitur edhe propozim prokurorial kundër tre nëpunësve policorë, të cilët nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

“Të akuzuarit, gjatë përpilimit të procesverbaleve për kontrollin e kryer në klub, në të cilat kanë konstatuar shkelje sipas nenit 21 të Ligjit për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, kanë futur të dhëna të pasakta për personin juridik dhe personin përgjegjës dhe kanë lejuar që të nisin procedura kundërvajtëse ndaj një personi juridik joaktiv dhe një personi fizik, me qëllim që për personin juridik dhe atë fizik të sigurojnë përfitim pasuror, sqarojnë nga Prokuroria.

Sa i përket edhe shtatë nëpunësve të tjerë policorë, prokurori publik ka nxjerrë Urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore. Konkretisht, duke vepruar sipas pretendimeve nga kallëzimi penal i paraqitur nga MPB-ja për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, prokurori publik gjatë hetimit ka ndërmarrë disa veprime me qëllim të përcaktimit të saktë dhe të plotë të gjendjes faktike.

Më pas është konkluduar se këtyre nëpunësve policorë u ngarkohen veprime që kanë kryer në periudhën kohore nga 07.12.2012 deri më 21.01.2022, konkretisht më 07.12.2012, 10.02.2018, 24.01.2019, 13.01.2022 dhe 21.01.2022.

Duke pasur parasysh se kompetenca e Departamentit të Specializuar është vendosur më 07.11.2018, nga Prokurora theksojnë se, subjekt i vlerësimit penal në këtë procedurë ishin vetëm veprimet e ndërmarra nga viti 2019 deri në 2022, ndërsa për veprimet e tjera çështja është dërguar për procedim kompetent në Prokurorinë Themelore Publike Koçan.

“Në këtë rast është konstatuar se nëpunësit policorë, sipas nenit 6 të Ligjit për veprimtarinë hotelierike, ishin kompetentë të kryenin kontroll vetëm në pjesën e përmbushjes së kushteve për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe sigurinë në trafik, por jo kontrolle lidhur me kushtet për mbrojtje nga zjarri dhe kushtet minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, të cilat nuk i takojnë kompetencës së tyre. Prandaj, veprimet e tyre nuk mund të lidhen direkt me shkak-pasojën e zjarrit të ndodhur natën kritike, sqarojnë nga PTHP NJKOK. 

Vepra penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, për të cilën është dhënë Urdhër për nisjen e procedurës hetimore, sipas nenit 288 paragrafi 2 të Kodit Penal, kërkon ekzistencën e një lidhjeje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë midis mosveprimit sipas rregullave për masat mbrojtëse dhe pasojës së shkaktuar, pra vdekjes së një ose më shumë personave.

 “Në këtë rast, veprimet e nëpunësve policorë të përfshirë në këtë çështje lidhen ekskluzivisht me kontrollet për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe sigurinë në trafik, të cilat kanë të bëjnë vetëm me sigurimin e një numri të caktuar vendparkimesh. Edhe pse janë siguruar prova se këto kontrolle në fushën e rendit dhe qetësisë publike dhe sigurisë në trafik nuk janë kryer si duhet, ato nuk mund të përfshihen nën kualifikimin ligjor për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas nenit 292 paragrafi 2, në lidhje me nenin 288 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 2, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.

“Prokuroria vlerëson se për këto veprime mund të përfshihen nën kualifikimin ligjor për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 paragrafi 1 ose 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, në varësi të përfitimit pasuror të siguruar. Për veprimet e ndërmarra në vitin 2019, duke pasur parasysh se klubi kishte deklaruar humbje, do të kishte të bëjë për veprën sipas nenit 353 paragrafi 1, për të cilën parashikohet dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në tre vjet”, sqarojnë nga Prokuroria.

Duke pasur parasysh se urdhri për nisjen e procedurës hetimore është dhënë më 16.04.2025, Prokuroria thekson se për këto veprime ka ndodhur vjetërsi absolute e ndjekjes penale, sipas neneve 107 paragrafi 5 dhe 108 paragrafi 6 të Kodit Penal.

“Ndryshe nga kjo, për veprimet e ndërmarra më 21.01.2022 nga një pjesë e të dyshuarve, nuk ka ndodhur vjetërsi e ndjekjes penale. Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror i RMV-së, të siguruara gjatë procedurës parahetimore, klubi në vitin 2022 ka realizuar fitim në shumën totale prej 284.576 denarësh, prandaj veprimet e këtyre të dyshuarve janë përfshirë nën kualifikimin ligjor sipas nenit 353 paragrafi 3 në lidhje me paragrafi 1 të Kodit Penal, për të cilën është dorëzuar edhe aktakuza përkatëse, sqarojnë nga Prokuroria.
 
“Në bankën e të akuzuarve për zjarrin në “Puls” tashmë ndodhen 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë, përfshirë pronarin e “Puls”, të afërmit e tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte diskotekën dhe pronarin e saj. Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë deklaruan se nuk ndjehen fajtorë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More