Estonia planifikon ndërtimin e 150 bunkerëve ushtarakë pranë kufirit me Rusinë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Talin, 29 tetor, Zhurnal.mk – Estonia po planifikon të ndërtojë rreth 150 bunkerë ushtarakë pranë kufirit me Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e vendit dhe për t’u përgatitur për kërcënime të mundshme ushtarake, sipas “Euronews”.

Projekti parashikon ndërtimin e bunkerëve në rajonin Ida-Viru, në verilindje të Estonisë, pranë kufirit rus.

Sipas burimeve, 100 bunkerë do të ndërtohen në toka shtetërore, ndërsa rreth 50 të tjerë në toka private ose në pronësi të bashkive.

Ndërtimi i bunkerëve është pjesë e Linjës së Mbrojtjes Baltike, një projekt i përbashkët i Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë për të forcuar mbrojtjen e kufijve të tyre lindorë dhe për t’u përgatitur ndaj një sulmi të mundshëm.

Ministri estonez i Mbrojtjes, Martin Herem, e bëri të ditur planin, gjatë një seance dje në parlamentin e vendit.

Ai shpjegoi se për ndërtimin e bunkerëve në toka private, autoritetet do të duhet të arrijnë marrëveshje me pronarët.

Zgjidhjet e mundshme përfshijnë kompensimin e tyre, marrjen e tokës me qira ose blerjen e saj.

Ministri sqaroi se aktualisht nuk ka një plan të gjerë për të blerë të gjitha tokat përgjatë zonës kufitare.

Bunkerët janë struktura të fortifikuara, që mund të përdoren për mbrojtjen e ushtarëve dhe për të krijuar pozicione mbrojtëse në rast konflikti.

Megjithatë, ministri nuk dha hollësi të mëtejshme për projektimin dhe përdorimin konkret të 150 bunkerëve të planifikuar.

Plani vjen në një kohë kur vendet baltike po shtojnë masat e tyre të mbrojtjes, për shkak të shqetësimeve për sigurinë në kufirin lindor të NATO-s.

Aleanca ka paralajmëruar për incidente me dronë, shkelje të hapësirës ajrore dhe veprime sabotimi në rajon.

Estonia ka njoftuar gjithashtu plane për të zhvendosur një brigadë ushtarake më pranë kufirit rus, në një bazë më pak se 50 kilometra larg tij, me synimin për të përmirësuar reagimin ndaj një sulmi të mundshëm.

Ndërkohë, projekti më i gjerë estonez parashikon vendosjen e deri në 600 bunkerëve deri në fund të vitit 2027.

Shifra prej 150 bunkerësh i referohet rajonit Ida-Viru, ndërsa objektivi prej 600 bunkerësh përfshin një plan më të gjerë mbrojtës në lindje dhe juglindje të vendit.

artikuj të ndërlidhura