Meloni: Nuk pendohem për afrimitetin me Trump, mbrojtja e interesave kombëtare mbetet prioritet

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Romë, 29 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se nuk pendohet për marrëdhëniet e afërta që ndërtoi me presidentin amerikan Donald Trump, në fillim të mandatit të tij të dytë, duke theksuar se kjo ishte një mënyrë për të mbrojtur interesat kombëtare të Italisë.

“Nuk pendohem që kam qenë shumë e afërt me presidentin Trump, në fillim të mandatit të tij të dytë. Sepse kjo do të thoshte të mbroje interesin kombëtar”, u shpreh Meloni në një pasazh të librit të gazetarit italian Bruno Vespa, “Storia della Seconda Repubblica”, i cili pritet të publikohet më 2 nëntor nga shtëpitë botuese “Mondadori” dhe “Rai Libri”.

Meloni kujtoi se kishte pasur marrëdhënie të mira edhe me ish-presidentin amerikan, Joe Biden, për të cilat, sipas saj, ishte kritikuar gjithashtu.

Për këtë arsye, ajo e konsideroi të natyrshme përpjekjen për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Trump.

Sipas kryeministres italiane, SHBA-ja është aleati më i rëndësishëm i Italisë në aspektin gjeopolitik dhe ushtarak, si dhe tregu kryesor për produktet italiane jashtë Bashkimit Evropian.

Ajo vuri në dukje gjithashtu praninë e një komuniteti të madh italianësh në SHBA.

Meloni argumentoi se marrëdhëniet e afërta me Trump, kanë ndihmuar në ruajtjen e dialogut mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe në periudhat kur palët kanë pasur mosmarrëveshje.

Sipas saj, kjo qasje është vlerësuar edhe nga disa qeveri evropiane, pasi ka ndihmuar në mbajtjen hapur të komunikimit mes dy anëve të Atlantikut.

Ajo përmendi në veçanti çështjen e Groenlandës dhe sigurinë në Arktik, duke theksuar se këto çështje duhej të trajtoheshin në kuadër të NATO-s, aleancës ushtarake ku bëjnë pjesë si SHBA-ja, ashtu edhe Italia dhe shumica e vendeve evropiane.

“Gjithçka ishte e dobishme për Italinë, Evropën dhe Perëndimin. Për këto qëndrime marr përgjegjësinë dhe do të veproja përsëri njësoj”, deklaroi Meloni.

Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes administratës amerikane dhe vendeve evropiane janë shoqëruar me mosmarrëveshje për çështje të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare.

Megjithatë, kryeministrja italiane mbrojti vendimin e saj për të mbajtur kanale të afërta komunikimi me Uashingtonin, duke argumentuar se bashkëpunimi me aleatin amerikan është në interes të Italisë dhe të unitetit perëndimor.

artikuj të ndërlidhura