Eurobond rekord/ Huamarrje prej 688 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare, çfarë parashikohet në vitin 2027

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 tetor Zhurnal.mk – Shqipëria pritet të emetojë një Eurobond të ri në 2027. Kjo është dalja e 8-të e vendit në tregjet financiare ndërkombëtare në 17 vite.

Sipas projekt buxhetit për vitin e ardhshëm, vlera e eurobondit parashikohet në 62.6 miliardë lekë i cili me kursin aktual të këmbimit shkon përafërsisht në 688 milionë euro duke e bërë kështu eurobondin më të madh ndonjëherë për Shqipërinë.

Huamarrja e huaj parashikohet të realizohet nëpërmjet disbursimit të huave që financojnë ecurinë e zbatimit të projekteve prioritare të qeverisë si dhe disbursimit të mbështetjeve buxhetore procedurat dhe kushtet paraprake të të cilave mund të arrijnë të plotësohen gjatë vitit 2027.

Në total huamarrja e huaj gjatë vitit 2027 vlerësohet të jetë rreth 118.2 miliardë lekë, dhe duke konsideruar borxhin e huaj që ripaguhet gjatë vitit, huamarrja e huaj neto pritet të rezultojë në nivelin 22.6 miliardë lekë.

Eurobondi është një obligacion i emetuar jashtë vendit (offshore) nga qeveri ose korporata i shprehur në një monedhë të ndryshme nga ajo e vendit të emetuesit. Eurobondi i ofron qeverisë qasje tek investitorët ndërkombëtarë duke i siguruar më shumë financim në formën e borxhit. Pra shteti merr borxh në një vlerë të caktuar nga investitorë të huaj dhe e kthen atë borxh bashkë me interesat pas një periudhe maturimi.

Eurobondi i parë i emetuar nga Shqipëria ka qenë në vitin 2010 me një shumë prej 300 milionë eurosh si dhe afat maturimi 5-vjeçar. Borxh ky që tashmë është i mbyllur. Ndërkohë dalja e fundit e vendit ishte në vitin 2025.

artikuj të ndërlidhura