Shkup, 23 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i LSDM‑së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për media kërkoi dorëheqje politike dhe përgjegjësi penale nga ministri i Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet kompetente, pas skandalit me ujin e kontaminuar në Gostivar, duke vlerësuar se mosveprimi i tyre ka rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Filipçe deklaroi se ndotja e ujit ka filluar që në fund të qershorit, ndërsa institucionet — sipas tij nuk kanë reaguar me kohë.
Ai theksoi se mekanizmat e kontrollit nuk kanë funksionuar dhe kërkoi nga Prokuroria Themelore Publike të hapë procedurë për hetim të plotë. Sipas të dhënave që prezantoi, ndërkohë që institucionet dhe prokuroria nuk ndërmorën masa, situata u përkeqësua dhe rreth 3.000 qytetarë u helmuan.
Filipçe kërkoi përgjegjësi politike dhe penale për të gjithë ata që, siç tha, kanë marrë pjesë në fshehjen e informacionit: ministrin e Shëndetësisë, drejtoreshën e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrën e Shëndetit Publik, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Prokurorinë.
Ai shtoi se, sipas qëndrimit të LSDM‑së, rasti i Gostivarit nuk është incident i izoluar, por dëshmi e mosfunksionimit të institucioneve dhe keqmenaxhimit të sistemit nga pushteti aktual i udhëhequr nga VMRO‑DPMNE.
