Filipçe: Në vend të zgjidhjeve dhe përgjigjeve për problemet e qytetarëve, jemi dëshmitarë të deklaratave boshe nga pushteti

nga Redaksia

Shkup, 21 janar – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në konferencë për media sot akuzoi se qeveria e VMRO-DPMNE-së nuk ka përgjigje për problemet me të cilat përballen qytetarët dhe për këtë vazhdimisht bën shpërqendrim. 

“Kjo nuk është politikë, por shpërqendrim. Shpërqendrim nga situata katastrofike në vend, nga realiteti dhe nga problemet, ndërsa ky është qëllimi kryesor i koalicionit të tenderëve VMRO-ZNAM. Ndërsa tenderët kriminalë janë duke u zhvilluar, pas shpinës së popullit, atyre po u shërbehen afera të sajuara, fushata të zeza dhe linçim publik i opozitës. Shembulli më i fundit. Të gjithë duhet të merren me lajmet e rreme në TV Alfa dhe fushatën e zezë të VMRO-së kundër meje, me Zhan Mitrevin, derisa importohen 10.000 ‘punëtorë ekonomikë’”, tha Filipçe.

Ai përkujtoi se ata që në dhjetor bënë thirrje se ekziston vrimë në buxhet dhe se në shtet nuk ka para, ndërsa, siç tha, qeveria e konfirmoi atë me huamarrje të re prej një miliardë euro përmes eurobondit. 

“Tani duhet të mbushet një boshllëk prej 2 miliardë eurosh që mungon. Siç raportuan mediat britanike, 6 miliardë eurot në kredi për të mbushur boshllëqet në buxhet janë pjesë e marrëveshjes. Ata po sjellin 10.000 ‘punëtorë ekonomikë’ para hundës sonë, ndërsa qytetarëve po u shërbehen trillime. Kështu funksionon kjo qeveri. Nuk ka përgjigje për boshllëkun prej 2 miliardë eurosh, nuk ka përgjigje për pagën minimale prej 600 eurosh, nuk ka përgjigje për katastrofën në ekonomi. Standardi i jetesës së qytetarëve po bie çdo ditë, ndërsa qeveria nuk po bën asgjë”, theksoi Filipçe.

Sipas tij po krijohen lajme të rreme që LSDM-ja t’i demantojë, ndërsa në prapavijë “askush të mos flasë për skandalet e pushtetit, të gjithë të merremi me një ndërtesë që nuk ekziston në Dubai, me aferë të trilluar e cila shërben si shpërqendrim nga tema kryesore – emigrantë për para”.

“Prandaj, qytetarë të respektuar të Maqedonisë, duhet ta dini: Sa herë që del një aferë e sajuar, e fabrikuar, është një shpërqendrim. Sa herë që lexoni një tekst nga kuzhinat e VMRO-së, ju, qytetarë të respektuar, duhet ta dini se një tjetër grabitje po ndodh pas shpine tuaj. Ata bëjnë shpërqendrim që ju të mos e shihni”, tha Filipçe, duke shtuar se “LSDM do të vazhdojë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kundër izolimit të vendit. Ne do ta kthejmë pushtetin në duart e popullit në mënyrë që politika të kthehet në interesat e qytetarëve dhe në cilësinë e jetës së tyre”.

Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve ai tha se presin që institucionet të reagojnë. 

“Këto janë tema serioze. Këto janë tema që janë në interes të qytetarëve. Nuk mund të lejojmë që këto gjëra të kalojnë dosido. Institucionet duhet të përgjigjen dhe të thonë se çfarë mendojnë për gjërat që publikojmë. Nëse kjo nuk ndodh në periudhën e ardhshme, ne jemi të gatshëm të paraqesim raporte përkatëse deri te të gjitha institucionet të cilave duhet t’u paraqiten raportet”, tha Filipçe.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More