Tel Aviv, 30 shtator, Zhurnal.mk – Një avion i kompanisë “Flydubai”, që po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit, bëri sot një ulje emergjente në Arabinë Saudite, pasi dy pilotët dyshohet se u përleshën në kabinën e pilotimit.
Lajmi u raportua fillimisht nga mediet izraelite, ndërsa “Flydubai” konfirmoi se kishte ndodhur një “incident” në bord.
Fluturimi “FZ1073” ndryshoi kurs mbi territorin saudit dhe u ul në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite.
Sipas transmetuesit izraelit N12, piloti ishte me origjinë ruse, ndërsa bashkëpiloti me origjinë ukrainase.
Dyshohet se të dy u përleshën fizikisht në kabinë dhe njëri prej tyre humbi ndjenjat.
Megjithatë, ky version nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas gazetës “Haaretz” në avion ndodheshin rreth 180 pasagjerë izraelitë.
Situata ishte veçanërisht e ndjeshme pasi Izraeli dhe Arabia Saudite nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Fillimisht u krijuan shqetësime se avioni mund të ishte rrëmbyer.
Medi3t raportuan se avioni kishte transmetuar fillimisht kodin e emergjencës 7700, i cili tregon një emergjencë të përgjithshme, dhe më pas kodin 7500, që përdoret për të sinjalizuar një rrëmbim avioni.
Në përgjigje të situatës, avionë luftarakë izraelitë u ngritën në ajër.
Sipas “Times of Israel”, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, zhvilloi konsultime me komandantë të lartë, përfshirë komandantin e Forcave Ajrore.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u informua dhe zhvilloi konsultime.
Zyra e tij deklaroi se situata ishte nën kontroll dhe se po bëheshin përpjekje për të garantuar kthimin e sigurt të pasagjerëve izraelitë.
Pas uljes në Tabuk, pasagjerëve iu kërkua të qëndronin në vendet e tyre dhe të mos zbrisnin nga avioni.
Sipas “N12”, vetëm dy pilotët u nxorën nga avioni.
“Flydubai” njoftoi autoritetet izraelite të transportit se do të dërgonte një avion zëvendësues nga Dubai në Arabinë Saudite, i cili më pas do të vazhdonte fluturimin drejt Izraelit.
