Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, Gogu: Mbrohet prezumimi i pafajësisë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot, së bashku me Këshillin e Evropës, projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur konsultimin publik për një ndërhyrje të gjerë në legjislacionin procedural penal.

Në qendër të ndryshimeve janë paraburgimi, alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i garancive procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të individit.

Në prani të Kryeministrit, përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Gogu e nisi fjalën me rastin e Afërdita Hysës, të shqyrtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, për të theksuar rëndësinë e arsyetimit të çdo vendimi që kufizon lirinë e individit.

Ministri solli në vëmendje të dhënat e Këshillit të Europës, sipas të cilave, në vitin 2024, pothuajse gjashtë në dhjetë persona në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim të formës së prerë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ishte rreth 253 ditë.

Gogu theksoi se arresti në burg duhet të ketë karakter përjashtimor, ndërsa pesha e akuzës nuk mund të jetë e mjaftueshme në vetvete për kufizimin e lirisë.

Nga ana tjetër, Gogu tha se se “kur sot 2353 njerëz ndodhen në paraburgim, një pjesë e madhe e tyre presin, presin një vendim përfundimtar, ne duhet të shqyrtojmë kohëzgjatjen, duhet të shqyrtojmë arsyetimin dhe alternativat në funksionimin e sistemit”.

Sipas tij, duhet të argumentohet konkretisht përse masat e tjera më pak kufizuese nuk janë të mjaftueshme.

Projektndryshimet parashikojnë forcimin e të drejtave të mbrojtjes gjatë hetimit, kufizimin e aksesit në të dhënat personale gjatë sekuestrimit të telefonave, mbrojtjen e prezumimit të pafajësisë dhe masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së ministrit ishte funksionimi i alternativave ndaj paraburgimit. Gogu njoftoi se qeveria ka ndarë fondet për mbikëqyrjen elektronike dhe se Ministria e Drejtësisë angazhohet ta vërë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme.

“Ndaj ministria sot merr të gjitha përgjegjësitë e veta pasi, ndërsa ne flasim, askush nuk gjendet nën mbikëqyrje elektronike, siç parashikon ligji dhe një alternativë që ekziston vetëm në ligj, nuk është kurrfarë alternative. Ndaj kthimi i saj në praktikë na takon neve, jo gjykatës, qeveria ka ndarë tashmë fondet për zbatimin e monitorimit elektronik dhe ne angazhohemi ta vëmë atë në funksion brenda pranverës së vitit të ardhshëm. Po aq rëndësi kanë regjistrimi audioviziv i marrjes në pyetje dhe kuadri për provën digjitale. Por krijimi i kushteve për to, në pajisje, në ekspertizë, në kohë, na detyron që të jemi pragmatikë me hyrjen në fuqi të ligjit”, tha ai.

Ministri propozoi gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me fokus cilësinë e vendimeve, funksionimin e alternativave dhe transparencën.

Duke ftuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademikët dhe shoqërinë civile të kontribuojnë në konsultimin publik, të hapur deri më 28 tetor, Gogu theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve të drejtësisë në hartimin e ndryshimeve.

“Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Të ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë. Të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim”, theksoi Gogu.

Me këtë mesazh, ministri nënvizoi synimin për një drejtësi që tregon të njëjtën forcë përballë krimit dhe në mbrojtjen e lirisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër