Shkup, 9 janar – Drejtori i përgjithshëm i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekoski dhe dekani i Fakultetit natyror-matematikor pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Davorin Tërpeski, sot në hapësirat e FNM-së do të nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e kapaciteteve molekulare – diagnostike në vend, me ndikim të drejtpërdrejtë ndaj mjekimit bashkëkohor dhe të personalizuar të pacientëve onkologjikë.
Me marrëveshjen e lidhur, siç informojnë nga FSSH, Laboratoria për biologji molekulare dhe gjenomikë pranë FNM do të fillojë me realizimin e analizave përparimtare molekulare – diagnostike, para së gjithash përmes zbatimit të paneleve të gjeneve për sekuencim të targetuar masiv paralel të gjeneratës së ardhshme (GJRS) tek gjendjet e ndryshme onkologjike.
“Kjo metodologji bashkëkohore mundëson zbulimin e saktë dhe me kohë të mutacioneve të gjeneve, thelbësore për përzgjedhjen e terapisë së targetuar onkologjike, ndjekjen e vijimit të sëmundjes, parashikimin dhe parametrat e tjera relevante klinike. Kombinimi i pajisjeve më bashkëkohore dhe kuadrit lartë të kualifikuar me shumë vite përvojë do të kontribuojë për një përgjigje më efikase ndaj nevojave në rritje për analiza molekulare-onkologjike në sistemin shëndetësor”, njoftojnë nga FSSH.
Me këtë marrëveshje përhapet rrjeti kombëtar për shërbime molekulare-diagnostike për pacientët onkologjikë, gjë që paraqet hap të rëndësishëm sistemik drejt kujdesit bashkëkohor shëndetësor, të saktë dhe të qasshëm.

