Garë interesante në Gostivar a do të fitojnë kandidatët apo qytetarët?

nga I.A

Shkup, 9 janar – Gostivari po përballet sërish me një proces zgjedhor që nuk do të duhej të ishte i zakonshëm. Përsëritja e zgjedhjeve për kryetar komune më 11 janar, këtë të diele, pas dështimit për të arritur cenzusin më 19 tetor, është një sinjal i qartë se diçka nuk funksionon si duhet në raportin mes politikës dhe qytetarëve. Edhe pse Valbon Limani arriti të marrë afro 17 mijë vota, mungesa e diku rreth 20 votave e bëri të pamundur legjitimimin e Limanit kryetar komune. Kjo sjelli deri në zgjedhje të reja që sjelli edhe një kandidat të ri me përvojë të vjetër përballë Limanit, Nevzat Bejtën, që nëse e përshkruajmë me fjalorin e tij është figurë që e njeh e gjithë Maqedonia, shkruan Zhurnal.

Çfarë do të ndodhë të dielën në Gostivar? 

Në mes të dimrit ngjanë që e diela në Gostivar do të jetë ditë e nxehtë përshkak se qytetarët do të zgjedhin të parin e tyre që do t’i përfaqësojë në krye të Komunës. Valbon Limani kandidat i AKI-së dhe Nevzat Bejta kandidat i VLEN-it. Për ta kuptuar se si do të jetë e diela të analizojmë si ka qenë fushata nga këto dy kandidatë. 

Rihapja e garës dhe rikthimi në skenë i ish kryetarit të komunës për dy mandate, Nevzat Bejta, e ka bërë këtë përballje edhe më interesante, por njëkohësisht edhe më të tensionuar. Fushata zgjedhore ka qenë e mbushur me akuza, kundërakuza dhe retorikë të ashpër politike. Bejta ka sulmuar drejtpërdrejt Arben Taravarin dhe Valbon Limanin, duke i etiketuar si “mësuesi i keq dhe nxënësi i keq” që, sipas tij, kanë keqpërdorur resurset publike. Nga ana tjetër, Limani dhe Taravari janë mbrojtur duke paralajmëruar padi për shpifje, duke e zhvendosur debatin nga programet zhvillimore te betejat juridike.

Kjo lloj fushate ngre një dilemë serioze a po garojnë kandidatët për të fituar qytetarët, apo thjesht për të mposhtur njëri-tjetrin? 

Në vend që fokusi të jetë te vizioni për Gostivarin, te projektet konkrete, zhvillimi ekonomik, infrastruktura, punësimi dhe përmirësimi i shërbimeve publike, vëmendja është përqendruar kryesisht te e kaluara, te llogaritë politike dhe te lufta e narrativave personale. Edhe pse për të qenë korrekt të dy kandidatët në paraqitjet e tyre kanë folur edhe për programin por fokusi nuk ka qenë këtu. 

Gostivari, sikurse çdo komunë tjetër shqiptare, ka nevojë urgjente për zhvillim real dhe progres të qëndrueshëm. Qytetarët janë lodhur nga premtimet e përgjithshme dhe nga akuzat boshe. Ata presin zgjidhje konkrete për problemet e përditshme rrugë funksionale, urbanizim të kontrolluar, mbrojtje të ambientit, mbështetje për bizneset lokale dhe transparencë në menaxhimin e buxhetit komunal. Këto janë çështjet që duhet të ndajnë fituesin nga humbësi, jo etiketimet politike.

Në këtë garë, fituesi i vërtetë nuk duhet të jetë thjesht kandidati që merr më shumë vota, por qytetari i Gostivarit, i cili meriton një udhëheqje të përgjegjshme, të hapur dhe të fokusuar në interesin publik. 

Kujtojmë që, zgjedhjet e 11 janarit nuk janë thjesht një test për kandidatët, por edhe për vetë demokracinë lokale në Gostivar. Në fund, dilema mbetet e hapur a do të fitojë një emër politik, apo do të fitojë më në fund interesi i qytetarëve? Përgjigjja do të jepet në kutitë e votimit, por përgjegjësia për ta bërë këtë proces kuptimplotë bie mbi të gjithë kandidatët, partitë dhe vetë votuesit. Prandaj, pa paragjykuar në rezultatin final mbetet të shihet të dielën se kujt do t’ia besojnë udhëheqjen gostivarasit por e rëndësishme është që cili do qoftë të ketë në parim interesin kolektiv në rendë të parë. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More