Gogu: Vendimi i Gjykatës së Lartë përcakton se arresti me burg nuk duhet të jetë rregulli, por përjashtimi

Nga D. V.
334 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se Tirana do të jetë mikpritëse e sesionit hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, një nga forumet më të rëndësishme globale të jurisprudencës, duke theksuar se Shqipëria po hyn në një fazë të re në arenën ndërkombëtare të drejtësisë.

Tirana është përzgjedhur të mikpresë sesionin hapës të Kongresit Botëror të Ligjit, më 6 dhe 7 maj 2026, që i paraprin Forumit kryesor global për ligjin, edicioni dyvjeçar i të cilit do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2027.

Gogu u shpreh se organizimi i këtij eventi në Tiranë nuk është rastësor, por lidhet drejtpërdrejt me rezultatet e reformës në drejtësi gjatë dekadës së fundit.

“Shqipëria nuk është më një vend që kërkon modele, por një vend që ka reformuar sistemin e vet dhe tani kontribuon në dialogun global për sundimin e ligjit”, u shpreh ministri gjatë një interviste për Report Tv.

Ai theksoi se në fokus të diskutimeve do të jetë roli i drejtësisë për qytetarin, duke nënvizuar se sfida kryesore mbetet garantimi i proceseve më të shpejta, vendimeve më të drejta dhe mbrojtjes së lirive individuale.

Sa i përket zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë, Gogu vlerësoi vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për masat e sigurisë, duke theksuar se ai e afron Shqipërinë me standardet europiane.

Sipas tij, vendimi përcakton qartë se arresti me burg nuk duhet të jetë rregulli, por përjashtimi, dhe se gjykatat duhet të arsyetojnë në mënyrë të detajuar përdorimin e tij, duke shqyrtuar më parë masat alternative.

Sipas tij, “në fund nuk i mbetet të pandehurit për të thënë pse nuk duhet të shkojë në burg, por duhet të jetë prokuroria që duhet të thotë pse masa e arrestit është masa e përshtatshme”.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se po punohet për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, për të adresuar nivelin e lartë të paraburgimeve dhe për të forcuar garancitë proceduriale për qytetarët.

Në lidhje me ngjarjen tragjike të Durrësit, ku humbën jetën dy fëmijë, Gogu u shpreh se “Ministria e Drejtësisë po analizon masat dhe standardet europiane”.

Ai vuri në pah se praktika gjyqësore tregon si ndëshkime të ashpra ashtu edhe raste me shoferë të dehur “që ia hedhin paq”.

“Do të shohim nëse ka vend për t’iu drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të shqyrtuar raste të ngjashme”, theksoi Gogu.

Sipas ministrit Gogu, “jo domosdoshmërisht ashpërsimi i dënimeve e zgjidh problemin. Ne synojmë parandalimin, përmes një qasjeje të gjithanshme që përfshin drejtësinë, institucionet dhe ndërgjegjësimin qytetar”, theksoi ai.

Ministri paralajmëroi se në javët në vijim do të prezantohet një paketë masash ligjore dhe administrative për të parandaluar tragjedi të tilla dhe për të rritur sigurinë në rrugë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër