Google pritet të prezantojë së shpejti një pajisje të re nga seria Fitbit, e cila sipas raportimeve do të quhet Fitbit Edge.
Pajisja ishte shfaqur aksidentalisht në imazhe promocionale të Google Australia gjatë prezantimit të serisë Pixel 11 në gusht.
Sipas një raporti të ri, Fitbit Edge mund të prezantohet më vonë këtë muaj dhe do të pozicionohet mes Fitbit Air dhe Pixel Watch 5.
Pajisja pritet të jetë pasardhëse e Fitbit Charge dhe do të ketë ekran me prekje në formë ovale, GPS dhe bateri që mund të zgjasë deri në 7 ditë me një karikim.
Fitbit Edge do të ketë gjithashtu mbështetje të kufizuar për disa aplikacione, përfshirë YouTube Music dhe Google Maps, transmeton Telegrafi.
Edhe pse nuk do të ofrojë të njëjtin nivel funksionaliteti si një Pixel Watch, pajisja do të mund të shfaqë njoftime nga telefoni.
Sipas raportimeve, Fitbit Edge do të ofrohet në pesë ngjyra, ndërsa tri prej tyre do të përputhen me ngjyrat e serisë Google Pixel 11 Pro.
Çmimi pritet të jetë ndërmjet 149 dhe 199 dollarëve, duke e vendosur atë në një kategori më të përballueshme krahasuar me orët inteligjente të Google.
Pajisja do të ofrojë gjithashtu gjurmim të saktë GPS, identifikim automatik të aktiviteteve dhe matje të lartësisë.
Imazhet e rrjedhura tregojnë një buton në anën e djathtë dhe një grup sensorësh në pjesën e pasme, i cili duket disi më i avancuar se ai i Fitbit Air.
Fitbit Edge duket se do të përdorë gjithashtu një sistem me shtypje (pinch) për ndërrimin e rripave.
Një imazh promocional tregon se pajisja e re Fitbit do të jetë kompatibile si me Android, ashtu edhe me iOS, duke e bërë atë të përdorshme edhe nga përdoruesit e iPhone.





