A do të ketë stabilitet ekonomik në RMV pas ribalancit të dytë brenda një viti?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 tetor, Zhurnal.mk – Ribalancet e shpeshta të buxhetit janë gjithmonë një sinjal i qartë se planifikimi fiskal nuk po ecën sipas pritshmërive. Përjashtim mund të bëjnë vetëm situatat e jashtëzakonshme, si krizat globale apo fatkeqësitë natyrore. Megjithatë, fakti që brenda vitit 2026 Maqedonia e Veriut po përballet me ribalancin e dytë të buxhetit, ndërkohë që vendi kërkon edhe 1.3 miliardë euro borxh të ri, ngre pikëpyetje serioze mbi stabilitetin ekonomik dhe mbi aftësinë e institucioneve për të menaxhuar financat publike në mënyrë të qëndrueshme, shkruan Zhurnal.

Ribalanci i parë për vitin 2026?

Ribalanci i parë i buxhetit për vitin 2026 u miratua në fillim të verës, si pasojë e nevojës për të mbuluar shpenzimet shtesë në sektorin e energjisë dhe për të siguruar mjete për projektet infrastrukturore. Qeveria argumentoi se ky ribalanc ishte i domosdoshëm për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të përballuar presionet e rritjes së çmimeve.

Nga ky ribalanc përfituan kryesisht institucionet që menaxhojnë projektet kapitale dhe sektorët e ndjeshëm si energjia dhe bujqësia. Në anën tjetër, disa programe sociale dhe investime të planifikuara në arsim u shtynë për më vonë, duke krijuar pakënaqësi te grupet e interesit. Ky kompromis tregoi se buxheti nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të përballuar njëkohësisht presionet e brendshme dhe ato të jashtme.

Qeveria drejt rishikimit të buxhetit sërish

Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë tronditur sërish tregjet ndërkombëtare, duke sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës, energjisë elektrike dhe gazit. Ky presion i ri ka hapur një boshllëk buxhetor prej 7–8 miliardë denarësh, të cilin Qeveria e RMV-së po përpiqet ta mbulojë. Ekspertët paralajmërojnë se rishpërndarja e mjeteve ekzistuese nuk do të jetë e mjaftueshme, duke e bërë të pashmangshëm një rishikim të ri të buxhetit.

Vetëm tre muaj para përfundimit të vitit, shtetit i mbetet të realizojë rreth dy miliardë euro nga të ardhurat e planifikuara, ndërkohë që deficiti i parashikuar ende nuk është shpenzuar plotësisht. Kryeministri Hristijan Mickoski ka pranuar se masat për përballimin e krizës energjetike kanë kosto të lartë financiare, duke shtuar se “nuk ka drekë falas” dhe se një rishikim i ri është i domosdoshëm për të mbuluar mungesën e të ardhurave.

Opozita ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë si dëshmi të mungesës së planifikimit ekonomik dhe si një pranim të dështimit të politikave fiskale. LSDM-ja ka akuzuar se rishikimi i buxhetit do të sjellë borxhe të reja, duke rritur më tej detyrimet financiare të shtetit. Ata e kanë përshkruar politikën ekonomike të Qeverisë si “një faturë që qytetarët do ta paguajnë dy herë”.

Nëse rishikimi nuk realizohet menjëherë, Qeveria do të duhet të gjejë hapësirë financiare përmes shkurtimeve në projekte dhe shpenzime të tjera. Kjo dilemë e vendos vendin përballë një zgjedhjeje të vështirë: ose të marrë borxhe të reja, ose të sakrifikojë investimet e planifikuara.

Ribalancet a janë pasqyra e mungesës së stabilitetit të buxhetit?

Dy ribalance brenda një viti tregojnë qartë se buxheti i shtetit nuk është i qëndrueshëm. Nëse planifikimi fiskal do të ishte realist dhe i bazuar në parashikime të sakta, ribalancet do të ishin të rralla dhe vetëm në raste të jashtëzakonshme. Përkundrazi, ribalancet e shpeshta dëshmojnë se të ardhurat nuk realizohen sipas pritshmërive, ndërsa shpenzimet shpesh tejkalojnë kufijtë e planifikuar.

Ky fenomen është pasqyrë e mungesës së stabilitetit ekonomik dhe fiskal. Ai tregon se shteti varet në mënyrë të tepruar nga faktorë të jashtëm, si çmimet e energjisë dhe zhvillimet gjeopolitike, ndërkohë që nuk ka rezerva të mjaftueshme për të përballuar krizat pa ndërhyrje të vazhdueshme në buxhet.

Kujtojmë që, ribalancet e shpeshta të buxhetit, borxhet e reja dhe presionet nga tregjet ndërkombëtare e vendosin Maqedoninë e Veriut në një pozitë të brishtë ekonomike. Stabiliteti fiskal mbetet i pasigurt, dhe kjo po pasqyrohet përmes rebalancëve që po bëhen e tregojnë qartë mungesën e stabilitetit ekonomik. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër